Gjirokastër, PD presion administratës për votën
Në një deklaratë për shtyp, kandidatët e PS-së bëjnë publike rastet abuzive në këmbim të vendit të punës
GJIROKASTËR - Kandidatët socialistë në Qarkun e Gjirokastrës, kanë reaguar dje ndaj atij që e kanë cilësuar si presion që ushtrohet nga drejtuesit e administratës shtetërore, i cili ka për qëllim të deformojnë votën e lirë të të punësuarve në sektorin shtetëror.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, Arta Dade, Vangjel Tavo, Et'hem Ruka, Elvira Shapllo dhe Kristaq Kristani, u kanë bërë thirrje gjithë zgjedhësve të votojnë të lirë, pa asnjë lloj presioni të ardhur nga persona, qofshin këta drejtues të pushtetit të sotëm.
"Raste të tilla janë shfaqur fillimisht në rrethin e Tepelenës, për të vazhduar më pas në Përmet dhe Gjirokastër, ku drejtuesit e institucioneve shtetërore kanë detyruar punonjësit e tyre të identifikojnë numrat e kartave të identitetit, si dhe identifikimin e qendrave të votimit, ku ata do të shprehin verdiktin e tyre me anë të votës.
Punonjësit e KESH-it në Tepelenë janë kërcënuar prej ditës së djeshme, duke vazhduar edhe sot, për të votuar PD-në. Atyre u është marrë numri i kartave biometrike dhe i pasaportave, si dhe nënshkrimi i tyre në një letër që garanton votën për PD-në më 28 qershor.
Po kaq alarmante situata shfaqet edhe në Gjirokastër, ku të njëjtën gjë kanë bërë drejtuesit e Drejtorisë së Tatimeve, Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, Drejtorisë Rajonale të Rrugëve Rurale, Zyrës së Punës, Postës Shqiptare, Albtelekomit, Spitalit Rajonal "Omer Nishani" etj., për të vazhduar me presionin e hapur ndaj mësuesve nga ana e drejtuesit të arsimit rajonal në Gjirokastër.
Një pjesë e administratës shtetërore, në mungesë të një klime besimi nga ana e drejtuesve partiakë, këta të fundit u kanë kërkuar punonjësve të tyre të mos shkojnë në votime, duke i kërcënuar me largim nga vendet e punës",- thuhet në këtë deklaratë për shtyp.