E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosi i drogës, në listën e më të pasurve

Në listën e njerëzve më të pasur në rruzull, e publikuar çdo vit nga revista amerikane "Forbes", këtë vit rezulton edhe emri i njeriut më të kërkuar në Meksikë. 54-vjeçari Hoakin Guzman, i njohur si kreu i një prej karteleve më të rrezikshëm të drogës në Meksikë dhe në të gjithë Amerikën Latine, gjendet i 701-ti në listën e më të pasurve të globit, me një pasuri që mendohet se i kalon 1 miliard dollarët. Guzman, i cili u arratis prej një burgu meksikan të sigurisë së lartë në vitin 2001, përmes një furgoni lavanderie, mendohet se fshihet sot në Meksikë ose në Amerikën Qendrore. Autoritetet meksikane e konsiderojnë si shkaktarin kryesor të dhunës së skajshme që ka pushtuar sot qytetet në veri të vendit, në kufirin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ekspertët e revistës "Forbes" vlerësojnë se, vetëm gjatë vitit të shkuar, trafikantët meksikanë dhe kolumbianë kanë arritur të fitojnë nga 18 në 39 miliardë dollarë nga tregtia e drogës. Guzman kontrollon një prej karteleve më të rrezikshëm meksikanë, atë të Sinaloas, i quajtur kështu për shkak të shtetit meksikan ku vepron.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›