E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre vjet burg për gazetarin që goditi Bushin

Gazetari irakian që goditi ish-presidentin amerikan, Xhorxh Bush, me këpucë në një konferencë shtypi, u dënua të enjten me tre vjet burgim nën akuzën e sulmit ndaj një lideri të huaj. Të pranishmit gjatë dhënies së dënimit nga ana e trupit gjykues dëshmuan se gazetari, në atë çast, kishte thirrur "rroftë Iraku". Veprimi i Muntadhar al-Zeidit, i kryer dhjetorin e shkuar, elektrizoi një pjesë të madhe të popullsisë së Lindjes së Mesme. Shumë njerëz e konsiderojnë akt heroik një shprehje të tillë të zemërimit ndaj liderit amerikan, i cili gjykohet me nota shumë negative për pushtimin e Irakut në vitin 2003. Gazetari 30-vjeçar nuk e pranoi akuzën për sulm ndaj një shtetari të huaj, duke u thënë gjyqtarëve se "ajo që bëra ishte një reagim i natyrshëm ndaj pushtimit të vendit". Reporterëve dhe pjesëtarëve të familjes së gazetarit iu urdhërua të dilnin nga salla e gjyqit gjatë dhënies së verdiktit. Disa prej familjarëve humbën ndjenjat pas sentencës, ndërsa të tjerët u nxorën me forcë nga rojet pas thirrjeve "poshtë Bushi" dhe "rroftë Iraku".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›