E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranon akuzat ideuesi i skemës piramidale

Bernard Madof pranoi dje fajësinë për akuzën e orkestrimit të mashtrimit më të madh në historinë e Wall Street, duke u marrë investuesve miliarda në një skemë financiare që ka tërhequr mbi vete mërinë e publikut amerikan dhe kërkesën për rregulla më të ashpra në sektorin financiar. 70-vjeçari iu përgjigj "fajtor" pyetjes së një gjykatësi federal, i cili i komunikoi akuzën, të përbërë nga 11 shkelje ligji. Në përfundim të seancës, gjyqtari i komunikoi edhe masën e re të sigurisë: Madof do ta presë në burg sentencën dhe rrezikon dënimin e përjetshëm.

Në gjyqin e djeshëm u ftuan të flasin edhe disa prej viktimave të skemës së ish-numrit një të bursës "Nasdaq", falë së cilës, në rreth dy dekada, Madof kishte arritur të grumbullonte fonde prej 65 miliardë dollarësh. 70-vjeçari u paraqit në ambientet e Gjykatës Federale të Manhatanit dje në orët e para të mëngjesit, para së cilës pritej nga një numër i madh gazetarësh, kameramanësh e fotografësh.

Procesi gjyqësor nisi në orën dhjetë të paradites. Disa kanale televizive e ndoqën me helikopterë makinën e ish-kreut të bursës, që nga çasti kur ky la apartamentin luksoz ku ndodhej në gjendje arresti shtëpie. Viktimat e mashtrimit u vunë në radhë për të hyrë në sallën e gjyqit, ndërkohë që hollet e gjykatës ishin mbushur me të interesuar.

Madof akuzohet për vënien në jetë të një skeme të paprecedentë piramidale për sa i përket mashtrimeve financiare. Ai akuzohet për mashtrime me fondet e sigurimeve, mashtrime në këshillimin e investimeve, mashtrim postar, mashtrim elektronik, tri akuza për pastrim parash, deklarata të rreme, dëshmi të rreme, dorëzim të të dhënave false për llogari të Komisionit Amerikan të Sigurimeve dhe Këmbimeve Valutore, si dhe për vjedhje nga plani i përfitimeve të të punësuarve. Te subjektet që i kishin besuar paratë Madofit përfshihen shoqëri investimesh në bursë, banka, shoqata bamirëse hebraike dhe investues individualë nga Amerika e Jugut dhe e Veriut, si dhe nga Evropa.

Deni Çin, kryetari i trupit, u kërkoi që në fillim investuesve të pranishëm të kontrollonin emocionet. "E kuptoj që ngarkesat emocionale janë shumë të forta, por duhet të përpiqemi të sillemi siç duhet në një sallë gjykate", u tha të pranishmëve në seancën dëgjimore të së martës. Gjatë seancës, avokati i Madofit bëri me dije se klienti i tij kishte ndërmend të pranonte akuzat e ngritura nga grupi i prokurorëve tre muaj pas arrestimit të tij.

Ish-magjistari i bursës, njëherësh konsulent investimesh, është i vetmi i akuzuar brenda atij që konsiderohej si biznes familjar, por megjithatë mbi gjithë çështjen mbeten ende pikëpyetje të pazgjidhura dhe mund të dënohen edhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tij. Çështja kundër 70-vjeçarit, e cila tronditi investitorët në të gjithë botën dhe shkaktoi kritika të forta ndaj paaftësisë së enteve rregullatorë për ta zbuluar pavarësisht sinjalizimeve gjatë këtyre viteve, nisi me arrestimin e tij më 11 dhjetor.

Autoritetet gjyqësore bëjnë me dije se Madof u ka rrëfyer bijve të tij se kishte "krijuar një skemë ‘Ponzi‘ gjigante", humbjet e së cilës kishin prekur 50 miliardë dollarë, si dhe që priste të përfundonte në burg për këtë shkak. Skemë "Ponzi" quhet ajo skemë sipas së cilës individët që investojnë fonde shlyhen me paratë e atyre që investojnë më vonë, e njëjtë me skemat piramidale që përpinë kursimet e shqiptarëve në gjysmën e viteve nëntëdhjetë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›