E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lumja, piktorja që tregon të vërtetat e politikanëve

Vitet e fundit kanë qenë eksperimentuese për të. Edhe atëherë kur nuk shfaqet, piktorja Lume Blloshmi është në kërkim të vazhdueshëm. Në kafenetë plot tym të Tiranës, në shfaqjet televizive apo glorifikuese të politikanëve, në konturet e lëkurave të portokalleve, ajo kërkon lëndën e saj artistike. Instalacioni i bishtave të cigareve, apo miniaturat e politikanëve, luhaten në tehun e kritikës ndaj shoqërisë shqiptare, herë edhe më tej, e shkojnë drejt një sarkazme të dukshme. Gjithçka e ekspozuar në muret e galerisë së artit "Zeta" zbulon dimensionet e reja të krijimtarisë së saj. "Në 6 vitet e fundit, Lume Blloshmi nisi të eksperimentojë me krijimtarinë e saj dhe kjo e bëri jo thjesht interesante, por i zbuloi një dimension tjetër. Në fillim kërkimet e saj ishin eksperiment ekstrapiktorik, sepse filloi të përdorë instilacionin dhe objektet. Ndërsa me këtë ekspozitë ka një rikthim te vetvetja, te origjina e saj si piktore, duke e pasuruar këtë përvojë me elementë të jetës së përditshme. E reja nga ana eksperimentale është akti i emërdhënies, mënyra se si ajo përpiqet ta lidhë ekspozitën përmes titujve përmbledhës dhe jo thjesht të punëve të veçanta", shprehet Edi Muka, kuratori i kësaj ekspozite. Teksa ndalet te seria e lëkurave të portokallit, Blloshmi tregon se ky ngacmim daton 10 vjet të shkuara. Jo vetëm për preferencë personale e ka titulluar "Lumja dhe Mjeshtërit". Të prera në silueta njerëzish, lëkurat e portokallit, të vendosura në pozicione të rastësishme, krijojnë paralele me vepra të njohura të historisë së artit botëror. Në një cep të tyre piktorja u ka gjetur "binjaken". "Që në momentin e parë unë kam parë te këto figura diçka të qartë, diçka", tregon teksa emrin e saj e ka vendosur në bashkautorësi me autorë të njohur tashmë. "Ky cikël, më i riu i Blloshmit, i referohet historisë së artit. Nuk ka shumë lidhje me Shqipërinë, por me situata të kohës në të cilën ne jetojmë e që janë pasqyruar në mënyra të ndryshme gjatë historisë. Interesante në këtë cikël është mënyra se si Lumja ka punuar. Po ta shohësh me kujdes, vëren se ajo ka bërë fotografi të rastësishme të lëkurave të portokallit, me idenë që t‘i bëjë të duken si grupe njerëzish dhe më pas është përpjekur të gjejë skena të ngjashme që ekzistojnë të pikturuara nga mjeshtrit e mëdhenj në historinë e artit", shprehet Muka. Konsumi dhe vrasja e kohës në shoqërinë shqiptare është mëshiruar brenda dollapit të vjetër, mbushur plot bishta cigaresh. I ka mbledhur nëpër kafenetë, ku është ulur qoftë për të bërë një bisedë. "Kur kam hyrë brenda tyre, së pari kam menduar për trupin tim, për gjithë atë shkatërrim që pëson aty. Është absurde të shikosh tabelat e mëdha që thonë "Stop Duhanit", tregon piktorja. Ndërsa për Mukën, nëse do të shikosh përtej ndjesisë së përzierjes që të krijohet në pamje të parë, brenda atyre kavanozave mund të përpiqesh të zbulosh karakterin e konsumuesve nisur nga lloji i duhanit. Ndërsa cikli i tretë, por i pari në radhën e ekspozitës, u kushtohet politikanëve. Janë miniatura ironike të ndërtuara me elementët më karakteristikë të secilit prej tyre. Piktorja nuk dëshiron të flasë shumë për ta. E ka titulluar "Është bota e burrave", një frazë e huazuar nga kënga e James Brown. "I kam realizuar gjatë tri vjetëve. Në këtë kohë kam parë edhe transformimin e vazhdueshëm të tyre. Por për një gjë jam e sigurt. Ajo që shprehet në këto miniatura është plotësisht e vërtetë", thekson Blloshmi. Udhëtimi i miniaturave nis me një imazh që të kujton Hollivudin. Një trup në origjinal i realizuar nga Mikelanxheloja mban kokën e Skënderbeut, ndërsa nga dora e tij del një dritë që shkon drejt shqiponjës. Një shenjë paralajmëruese për sekuencat e filmit të asaj që na rrethon. "Gjithë ekspozitën e lidh qëndrimi i Lumes përmes emërtimit. Publiku mund ta lexojë këtë si seri, por edhe si fragmente të veçanta. Secila prej tyre ka një histori të vetën dhe ajo përpiqet të evidentojë momente të kësaj historie, momente që ne i kemi hasur, por i kemi harruar. Pështjellimi që krijojnë këta politikanë në vetvete është aq i madh, sa ne harrojmë se nga vijnë, kush janë, si kanë kaluar nga njëra anë në tjetrën", shprehet Muka. E veçantë në gjetjet e saj, Blloshmi tenton sërish në një provokim artistik të fenomeneve dhe personazheve mes të cilave gjendemi çdo ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›