E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnja ndryshon Statutin, gati heqja e pezullimit nga FIFA

BOSNJE- Federata Boshnjake e Futbollit ka miratuar ndryshimet në Statut të kërkuara nga FIFA dhe UEFA, duke i hapur në këtë mënyrë rrugën heqjes së pezullimit të vendosur më 1 prill.

Presioni i bërë nga dy organizmat ndërkombëtarë të futbollit, ka bindur anëtarët serbë dhe kroatë të Federatës së Bosnjes që të heqin dorë nga pretendimet e tyre. “Pas një debati të shkurtër dhe konstruktiv, ndryshimi i statutit është miratuar me 55 vota nga 56 anëtarët e Bordit drejtues që morën pjesë në mbledhje”, bëri të ditur Federata Boshnjake në një komunikatë për mediat. Kërkesa kryesore e FIFA-s dhe UEFA-s ishte ajo që Federata Boshnjake të kishte një presidencë unike, siç i ka çdo federatë anëtare.

Për shkak edhe të ndarjes etnike, serbë, kroatë e myslimanë, në Bosnje ekzistonte një presidencë me tre persona, një nga çdo etni, gjë që binte ndesh me statutet e FIFA-s dhe UEFA-s. Ata drejtonin me rrotacion, nga 16 muaj secili, por dy institucionet qendrore të futbollit kërkuan që kjo të merrte fund, duke ngritur edhe një komitet prej 6 vetash për këtë çështje.

Miratimi i statutit të ri e rikthen praktikisht Bosnjen në familjen e madhe të futbollit. Ndërkohë, vendimi ka efekt edhe mbi kombëtaren shqiptare, që do të luajë më 7 qershor në Zenica ndaj ekipit që drejtohet nga Safet Sushiç. Nëse Bosnja do të qëndronte e pezulluar, atëherë kjo ndeshje e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2012 nuk do të luhej, por tashmë ajo do të zhvillohet sipas programit.
(e.m/A.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›