E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, largohet presidenti Besnik Sulaj

Dinamo ka siguruar qëndrimin në Superligë, duke mundur 4-1 Besëlidhjen, por një tjetër lajm i rëndë ka tronditur klubin kryeqytetas. Presidenti Besnik Sulaj, menjëherë pas sfidës me lezhjanët, është larguar nga posti i tij, duke e lënë ekipin në mëshirë të fatit. Pas Partizanit, një tjetër klub i elitës rrezikon tashmë të ketë një fund të keq.

I kontaktuar me telefon nga “NEWS 24”, presidenti Sulaj ka bërë të ditur se shkaqet e largimit të tij nuk kanë lidhje me paraqitjen e skuadrës apo me presionin e madh të krijuar rreth këtij klubi këtë sezon. “Më duhet t’u kushtoj më shumë kohë bizneseve të mia”, ka thënë Sulaj. Përpos kësaj, marrja e kompleksit “Dinamo” nga ana e Agjencisë së Sporteve, por edhe presioni i krijuar mbi klubin kryeqytetas nga shumë drejtime, duket se janë edhe shkaqet e vërteta të largimit të presidentit.

Besnik Sulaj ka fituar tre tituj kampionë në krye të Dinamos, në vitin 2002, 2008 dhe 2010. Titulli i fituar një vit më parë erdhi pas një sezoni ku Dinamo siguroi një nga shkëputjet më të mëdha të historisë, me një superskuadër dhe me futbollistë nga më të mirët e kampionatit shqiptar. Dinamo është 18 herë kampione e vendit dhe 13 herë fituese e Kupës së Shqipërisë, pra një prej klubeve me historinë më të lavdishme në futbollin shqiptar.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›