E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnjë-Hercegovinën ta marrë përsipër SHBA

Bosnja-Hercegovina (B-H) në këtë moment ka nevojë për liderë të mirë, por ata mungojnë. Bashkimi Europian nuk është në gjendje ta zgjidhë problemin serioz të këtij vendi, kështu që ka ardhur koha që zgjidhjen e tij ta marrë përsipër Uashingtoni. Sidoqoftë, edhe vetë sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Hillari Klinton, kur mori funksionin e saj, vuri në dukje se Amerika ende nuk e ka përfunduar punën që filloi në B-H dhe se sigurisht që do ta çojë deri në fund këtë punë, vinte në dukje këto ditë në një shkrim të saj me titull "B-H nuk funksionon, por jo sa Brukseli!" gazeta amerikane "Nju Jork Tajms", duke trajtuar aspekte të ndryshme të krizës së rëndë politike e ekonomike në këtë vend ballkanik, e cila në kohën e tanishme ka arritur kulmin e saj dhe kërcënon seriozisht ta shpërbëjë Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, të krijuar si rezultat i Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995. Zyrtarët europianë nuk janë në gjendje të sjellin progres në këtë vend, pavarësisht nga qindra milionë euro të investuara atje, tensionet nacionaliste në B-H janë të forta, për më tepër ekziston frika në rritje se dhuna mund të shpërthejë përsëri në B-H, thekson kjo gazetë e njohur amerikane, e cila vazhdon më tej: "Edhe pse Sarajeva është vetëm pak orë fluturimi nga Vjena dhe Romës, kjo largësi duket e pakapërcyeshme; për shkak të progresit minimal në fushën e reformave të kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare nga ky vend, qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës janë lënë jashtë planit të regjimit pa viza".

Gazeta "Nju Jork Tajms" citon kongresmenin nga Florida, Elis Hastings, i cili tha këto ditë hapur, pa asnjë dorashkë: "Unë situatën e atjeshme e konsideroj si një fuçi baruti që mund të shpërthejë në çdo moment…". Gazeta në fjalë sjell edhe fjalët e senatorit amerikan Benxhamin Kardin, i cili deklaroi ditët e fundit se administrata e Barak Obamës tashmë e ka kuptuar se gjendja në B-H është larg rregullimit dhe se kjo është arsyeja se përse nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, do të vizitojë në një të ardhme të afërt Sarajevën. Megjithatë, vë në dukje gazeta e lartpërmendur, ashtu sikurse qëndrojnë punët në këtë vend, vështirë se edhe vizita e Bajdenit në B-H do t‘i lëvizë gjërat nga vendi.

Tanimë është fakt që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e humbasin gjithnjë e më shumë durimin, ndërkohë që Bashkimi Europian po sillet me kaq indiferencë ndaj krizës në Bosnjë-Hercegovinë, shkruan në fund gazeta "Nju Jork Tajms", tekstin e shkrimit të së cilës e boton këto ditë edhe gazeta e njohur britanike "Sun".

m.s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›