E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse duhet t‘i japim fund dënimit me vdekje

"Hakmarrja është një lloj drejtësie e egër, për të cilën sa më shumë natyra e njeriut priret drejt saj, aq më shumë ligji duhet ta zhdukë", është shprehur shkrimtari anglez, Francis Bacon, i cili gjatë shekullit të 16-të ka debatuar mbi dënimin me vdekje. E drejta e jetës dhe e drejta për të mos u torturuar apo trajtuar barbarisht janë me siguri mes mbrojtjeve më të rëndësishme për një qenie njerëzore. Këshilli i Europës ka punuar 30 vitet e fundit për ta nxjerrë të jashtëligjshëm dënimin kapital në Europë. Si rezultat, që nga 1997, asnjë ekzekutim nuk është kryer në 47 shtetet tona anëtare.

Pse kjo lëvizje nga një drejtësi dhëmbë për dhëmbë tek një ndalim i dënimit me vdekje, edhe për krimet më të urryera?

Si fillim, dënimi me vdekje është i pakthyeshëm. Gabime në drejtësi ndodhin shumë shpesh. Asgjë nuk mund ta sjellë mbrapsht jetën e një personi të pafajshëm të ekzekutuar pasi është deklaruar fajtor gabimisht. Që nga 1976, 123 të burgosur janë liruar nga paradhoma e vdekjes pasi janë gjykuar gabim në SHBA.

Për më tepër - dhe në kundërshtim më perceptimet e përhapura - dënimi me vdekje nuk e parandalon një krim. Statistikat dhe të dhënat e fundit provojnë vazhdimisht se nuk ka lidhje mes dënimit me vdekje dhe statistikave të krimit. Në Shtetet e Bashkuara, shtetet që aplikojnë dënimin me vdekje, ka një numër më të madh krimesh se ato që nuk ekzekutojnë njerëz.

Ajo që ne nuk mund të injorojmë është se sondazhet e opinionit publik për dënimin me vdekje tregojnë se shumë europianë janë ende pro dënimit me vdekje. Ata besojnë së sulmet terroriste dhe bombat vetëvrasëse që vrasin njerëz të pafajshëm nëpër botë meritojnë të njëjtin fat si viktimat e tyre të pafajshme. Statistikat tregojnë se vrasësit janë indiferentë ndaj çdo lloj forme sanksioni, përfshirë dënimin me vdekje. Nëse ata dëshirojnë të vdesin për kauzën e tyre, pse atyre do të duhet t‘u parandalohet dënimi me vdekje?

Dënimi me vdekje nuk i ndihmon viktimat. Ai nënçmon procesin e pendimit dhe të faljes që mund të sjellin paqe në mendjet e atyre që janë privuar nga krimi. Hakmarrja është një reagim natyral njerëzor - por e vërteta është se nuk ka hakmarrje në vdekje - një i vdekur nuk mund të ndjejë pendim, keqardhje për një krim të kryer apo të pranojë përgjegjësi. Asnjë ekzekutim nuk ka sjellë asnjëherë mbrapsht në jetë një person të dashur.

Dënimi me vdekje është gjithnjë mizor dhe ndonjëherë ekzekutimet degradojnë në torturë. Fakti se personi i ekzekutuar mund të ketë ai apo ajo vetë kryer një krim të tmerrshëm nuk mund të jetë një justifikim për një shtet - një institucion publik për të cilin ne votojmë dhe në të cilin ne besojmë - të dhunohet e drejta më bazike e njeriut, e drejta për jetën.

Për të gjitha këto arsye, dy të tretat e të gjitha vendeve në botë e kanë hequr tani dënimin me vdekje me ligj dhe në praktikë.

Këshilli i Europës përshëndet këtë progres, por ka ende shumë punë për të bërë në vendet ku ekzekutimet vazhdojnë. Burime të besueshme vlerësojnë së gjatë vitit 2008, më shumë se 2300 njerëz janë vënë para ekzekutimit në 25 vende. Gati nëntë mijë njerëz kanë marrë vendimin e dënimit me vdekje në të njëjtën periudhë.

Dënimi me vdekje është i gabuar. Le t‘i japim fund. Kudo.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›