Sejdiu: Kufijtë e Kosovës janë të qartë e të njohur
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaroi dje se shteti i Kosovës ka kufij të përcaktuar tashmë dhe të njohur ndërkombëtarisht. "Kufijtë e Republikës së Kosovës janë të ditur dhe këta kufij janë të njohur ndërkombëtarisht. Për ne është i papranueshëm çdo afrim i kujtdo qoftë që në një formë apo formë tjetër ka tendencën e lëvizjes së kufirit", ka theksuar Presidenti Sejdiu gjatë një vizite në Komunën e Pejës. Lidhur me disa tabela, që dëshmojnë se ke hyrë në territorin malazez, por që në realitet, sipas mediave kosovare, ndodhen në territorin kosovar, Sejdiu shpjegoi se ka organe kompetente që merren me këto çështje. "Ne dëshirojmë të kemi marrëdhëniet më të mira me Malin e Zi dhe ato janë dëshmuar në ecje praktike të deritashme", tha Presidenti Sejdiu, duke shtuar se "organet kompetente që merren me çështjen e shënimit të kufijve ndërshtetërorë apo vendkalimeve të rëndësishme kufitare, që janë të nevojshme për komunikimin e qytetarëve dhe të mallrave, do ta bëjnë punën si duhet". Kreu i shtetit kosovar paralajmëroi se çdo ngatërresë, qoftë dhe më e vogla për kufijtë e Kosovës, do të marrë përgjigjen e duhur nga organet përkatëse. "Kosova i ka kufijtë e vet të qartë dhe nëse ka ndonjë ngatërresë të vogël në kuptimin e pretencës së dikujt, jashtë asaj që është normale në relacionet ndërshtetërore, sigurisht që do të ketë përgjigjen e saj", vijoi Presidenti Sejdiu, gjatë vizitës në Pejë.