Boston/Arrestohet terroristi i dytë. Obama: Mungojnë ende shumë përgjigje
Policia e Bostonit ka njoftuar se i dyshuari i bombave në Maratonën e Bostonit është kapur i gjallë, duke i dhënë kështu fund gjuetisë masive, që futi në shtetrrethim kryeqendrën e Massachusetts, pas paralajmërimeve se personi i kërkuar mund të ishte i armatosur me eksplozivë. Zyrtarë të zbatimit të ligjit thanë për CNN se autoritetet kanë konfirmuar identitetin e personit të arrestuar, është pikërisht 19-vjecari Dzhokar Tsarnaev, i cili ia mbathi shkëmbimit të zjarrit pak orë më parë në periferinë e Watertown-it, ku mbeti i vdekur vëllai i tij i madh, Tamerlan Tsarnaev, i kërkuari tjetër si përgjegjës i bombave që shpërthyen disa ditë më parë.
Arrestimi erdhi në më pak se 1 javë, pasi dy bomba shpërthyen pranë vijës së finish-it të Maratonës së Bostonit, duke shokuar kombin dhe duke lënë një qytet të tërë në ankth. Tsarnaev u rrethua gjatë orëve të vona të së premtes në një varkë në Watertown, në periferi të Bostonit.
“Kemi mbyllur një kapitull të rëndësishëm në këtë tragjedi”, tha presidenti Barack Obama në një fjalim televiziv. Edhe pse i është dhënë fund këtij makthi, ai u zotua se do të gjejë përgjigjet e motivit të sulmit, si dhe do të mësohet nëse të dyshuarit kanë patur ndihma të jashtme, për të realizuar komplotin.
Si u kthyen në radikalë islamikë dy vëllezërit
Më i madhi i dy vëllezërve çeçenë, që dyshohen se kanë vendosur bombat në Maratonën e Bostonit, u bë radikal islamik kur u zhvendosën në SHBA një dekadë më parë. Tamerlan Tsarnaev, 26 vjeç, vëllai i 19- vjeçarit Dzhokhar, që është aktualisht në kërkim, u qëllua për vdekje gjatë një përplasje me policinë. Në kanalin e tij në YouTube ai kishte hedhur video që i dedikoheshin terrorizmit. Familja e tij u vendos në SHBA në vitin 2003 si refugjatë dhe Tamerlan u bë banor i përhershëm në vitin 2007. Në vitin 2010 ai kishte deklaruar se kishte vetëm një shok amerikan dhe se nuk i kuptonte amerikanët. Mes videove që ai kishte hedhur në YouTube ishte edhe një e titulluar Do ia dedikoj jetën time xhihadit. Ai së bashku me të vëllanë kanë eksperiencë ushtarake, thonë mediat amerikane. Tamerlan ishte boksier dhe kalonte një kohë të gjatë duke bërë stërvitje. Madje ai ka përfaqësuar Nju England në një kompeticion. Ai ishte një kampion mes moshave. Ai ka studiuar part- time në një kolegj në SHBA dhe theksonte në rrjetet sociale se donte të bëhej inxhinier. Kurse vëllai i tij 19- vjeçar është një student i shkëlqyer mjekësie, që mendohet se është radikalizuar nga i vëllai. Dzhokhar ishte si një fëmijë normal amerikan, thonë miqtë e tij. Ai është diplomuar në shkollën e mesme ku ka studiuar edhe Ben Affleck dhe Matt Damon. Familja dhe miqtë thonë se i pëlqenin festat dhe nuk shkaktonte probleme. Babai i dy djemve ka ulëritur me të madhe kur ka mësuar për atë që kanë bërë djemtë e tij. Nuk do e bënin kurrë këtë. Kurrë, kurrë, kurrë, tha Anzor Tsamaev, që jeton në zonën e Rusisë të quajtur Makhachkala. Ndjehem shumë keq. Pse ma vranë djalin? Djemtë e mi nuk vrasin. Ata i urrejnë armët. Si mund të bëjnë bomba ata? tha ai. Fola me djemtë dje dhe diskutuam edhe për shpërthimet. Më thanë se ishin mirë. Ai tha se djemtë e tij janë si engjëj.
Xhaxhai i dy autorëve: Sulmi nuk ka lidhje me fenë
Xhaxhai i dy autorëve të sulmit në maratonën e Bostonit, i cilësoi dy nipërit e tij dështakë që smundën të ndërtojnë dot jetën e tyre në Shtetet e Bashkuara dhe refuzoi lidhjen e atentatit me fenë. Ruslan Tsarni, që prej disa vitesh jeton në Amerikë tha se sulmi i dy të rinjve, turpëroi atë, familjen e tij, familjen e vëllait të tij dhe gjithë çeçenët. Çdo lidhje e sulmeve me fenë islame është gabim dhe nuk ka të bëjë fare. Sulmi solli turp në familjet tona dhe në gjithë etnicitetin çeçen, tha ai duke i bërë thirrje nipit që të dorëzohet.