E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja pse e ndërmorëm nismën për heqjen e monumentit të Zogut nga Tirana

Flet Ardit Rada, një nga anëtarët e grupit nismëtar

ardit radaNjë grup qytetarësh, të vetorganizuar në rrjetin social Facebook nëpërmjet një peticioni po i kërkojnë shumicës së re në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të largojnë monumentin e Ahmet Zogut, vendosur në Tiranë gjatë 100 vjetorit të Pavarësisë. Kjo nismë deri tani ka marrë shumë firma, por ka hapur dhe shumë debate. Për të mësuar më shumë ndaj kësaj nisme, kemi intervistuar aktivistin social, Ardit Rada, i cili është edhe një nga organizatorët kryesorë të këtij peticioni.

Ju jeni nismëtari i një peticioni për heqjen e monumentit të Ahmet Zogut nga qyteti i Tiranës, pse e ndërmorët këtë nismë?
Së pari dua tju bëj me dije se nismëtarët janë shumë të rinj dhe intelektualë të cilët shumë shpejt do ti njihni pas paraqitjes së firmëtarëve. Arsyet e këtij peticioni janë të shumta, por kërkesa bazohet kryesisht në të drejtën qytetare. Në draftin fillestar të peticionit radhiten katër pika mbi të cilat edhe pretendojmë. Për ta përmbledhur shkurt, figura e Ahmet Zogut është po aq e diskutueshme sa edhe shumë personazhe të tjerë të historisë të cilët janë rehabilituar ose jo. Megjithatë, ne si qytetarë nuk marrim përsipër të hapim një debat historik, por thjeshte po ushtrojmë një formë demokratike për të parashtruar një kërkesë. Nëse do përfshihemi në debate historike apo teknike, të jeni i bindur se Ahmet Zogu jo vetëm që nuk meriton dy statuja, një në Burrel e një në Tiranë, por nga ana tjetër shtatorja e tij është diskutuar shumë nga urbanistët sipas të cilëve është vendosur në një vend të gabuar ku mund të shkaktojë edhe aksidente.
Cili është thelbi i peticionit dhe kur do ta dorëzoni në Këshillin Bashkiak?
Ne kërkojmë që ti japim Këshillit Bashkiak të Tiranës që të kryejë funksionin e tij për qytetin nga i cili janë zgjedhur dhe paguhen. Të gjithë e dimë se jo vetëm për shtatoren e Zogut, por për shumë masakra apo punë të mira në rrugët e Tiranës, ky këshill nuk është pyetur. Rasti i shtatores së Ahmet Zogut erdhi si një surprizë për qytetarët. Dhe të mendosh së për të ngritur atë shtatore janë derdhur miliona lekë, ndërsa për të nderuar Ismail Qemal Vlorën, busti i tij u nxor nga Muzeu Kombëtar dhe u vendos në mes të disa ferrave që quhen lulishte. Për të gjithë iniciatorët e këtij peticioni, ky do të jetë një test tepër i madh. Së pari, sikurse e thashë qytetarët po i kërkojnë të zgjedhurve të tyre të ushtrojnë detyrën direkte përmes një kërkese direkte dhe të qartë. Së dyti, ky peticion do të jetë një test për shumicën e re në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit çfarë do të thotë se kjo do ta ndajë shapin nga sheqeri. Pra, kemi të bëjmë me disa këshilltarë të majtë, apo me disa demagogë të radhës sikurse jemi mësuar të shohim gjithë këto vite. Unë e përmenda më lart se Ahmet Zogu e ka një statujë në Burrel. Kjo nuk do të thotë se smund ta ketë edhe një në Tiranë, por ai është nderuar mjaftueshëm duke i vënë emrin e tij një bulevardi në kryeqytet.
Besoni që këshilli bashkiak do ta marrë parasysh kërkesën e juaj, dhe sa qytetar i janë bashkangjitur këtij peticioni?
A do ta marrë apo jo parasysh Këshilli Bashkiak këtë peticion, apo pretendim, kjo varet nga formimi i tyre intelektual. Askush nuk mund ti mbush mendjen dikujt tjetër që të lexojë një letër me forcë. Pyetja shtrohet, a do të marrin një vendim apo jo. Gjasat janë që pretendimi ynë të lexohet qartë dhe nëse është nevoja nismëtarët e peticionit mund të japin argumente shtesë para Këshillit apo kujtdo që shpreh interes për nismën. Ne jemi koshientë që Këshilli Bashkiak është përpara një debati tjetër, që me çduket do të përfundojë para zgjedhjeve. E kam fjalën për shkarkimin e kreut aktual, z. Njazi Kosovrasti, dhe zgjedhjen në vend të tij të z. Aldrin Dalipi. Domethënë se ne nuk duam ti ngusim, por sigurisht që kërkojnë përfshirjen në rendin e ditës për diskutim të kërkesës sonë, fill pas dorëzimit të peticionit. Sa i përket mbështetjes, sikurse jeni në dijeni, peticioni ka qarkulluar në rrjetet sociale këto ditë. Feedback-u, apo mbështetja, ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Bëhet fjalë për qindra shqiptarë, qytetarë ose jo të Tiranës, që kanë shprehur dëshirën e tyre për të firmosur. Por, për ti dhënë një pamje më serioze, ne po përpiqemi që firmëtarët të jenë pikërisht qytetarë të Tiranës. Se sa do ta firmosin, kjo nuk ka rëndësi. Nuk bëhet fjalë për shifra sepse kjo do të përfundonte në një lojë ku grupe të caktuara mbledhin më shumë firma dhe garojnë. Dua tju shpreh bindjen se në krye të peticionit do të ketë emra të njohur nga shoqëria civile, akademikë dhe intelektualë të tjerë. Nëse doni që tju jap një shembull për tju bindur se gjasat janë të shumta, po ju përmend heqjen nga qyteti i Shkodrës të monumentit të 5 Heronjve të Vigut. Një vendim ky i marrë nga Këshilli Bashkiak. Pra nuk ka asgjë të pamundur nesë ekziston vullneti. Demokracia e ka këtë të keqe, apo të mirë; vendimet i merr shumica.
Pse e ndërmorët pikërisht tani këtë nismë, dhe jo kur u përurua shtatorja?
Siç e thashë, 100-vjetori i shtetit shqiptar u kthye në një garë ku nuk munguan dhe surprizat. Njerëzit prisnin të tjera vepra si stadiumi, Parlamenti i ri etj dhe gjetën të tjera vepra të ngritura në rrugët e Tiranës. Nga ana tjetër, figura e Zogut të I-rë është po aq e diskutueshme sa shumë të tjerë. Për shtatoren që ngriti kryeministri në nder të ish-kryeministrit Ahmet Zogu, nuk u pyetën qytetarët. Kjo është një shkelje e rëndë e demokracisë, sepse komuniteti duhet të jetë vendimmarrës si për infrastrukturën, ashtu edhe për hekurishtet me të cilat do ti duhet të bashkëjetojë. Arsyeja pse u ndërmor pikërisht tani është sepse Këshilli Bashkiak i Tiranës ka pasur një shumicë të djathtë, një shumicë kjo e gatshme për të kapërdirë çdo helm që vjen nga ekzekutivi. Domethënë, një shumicë që miraton duke heshtur. Sot që shumica është në favor të së majtës, ne besojmë se ka shanse të shumta për ti kthyer mbrapsht disa vendime, por konkretisht largimin e shtatores së Zogut, kërkesë kjo që është thelbi i peticionit.

263PETICIONI
Drejtuar Këshilltarëve të majtë në Bashkinë e Tiranës

Lënda: Kërkese për heqjen e monumentit të Ahmet Zogut nga qyteti i Tiranës
Të nderuar,
Ne, një grup qytetarësh, të vetëdijshëm mbi kerkesën tonë pretendojmë që Ju, si pëfaqësues të shumicës së votuesve të largoni monumentin e Ahmet Zogut, vendosur në Tiranë për arsyet e mëposhtme:
a) Ahmet Zogu është vlerësuar mjaftueshëm nga shqiptarët me një përmendore në qytetin e tij të lindjes, një mauzoleum dhe me emrin e një bulevardi kryesor në Tiranë dhe nuk ka nevojë për një monument të dytë apo të tretë e kështu me radhë.
b) Vlerësojmë se Ahmet Zogu është një figurë uzurpuese e pushteti, aspak liridashës gjë të cilën e vulosi me braktisjen e shqiptarëve me 7 prill 1939.
c) Figura e Ahmet Zogut nuk është sqaruar ende, sikurse veprimet e tij anti-patriotike ku përfshihen përndjeket që i ka bërë figurave të ndritura të kombit si Fan S. Noli, At Gjergj Fishta dhe vrasjet e Bajram Currit, Luigj Gurakuqit, Avni Rustemit, etj.
d) Për të treguar se arroganca në këtë vend i ka kohët e shkurtra dhe se kryeministri aktual s’mund të jetë i përjetshëm si dhunues figurash.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›