E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota ka dështuar me të drejtat e njeriut

Liderët botërorë po dështojnë të luftojnë abuzimet me të drejtat e njeriut anembanë globit, thotë "Amnesty International". Në raportin e përvitshëm të tij, grupi thotë se njerëzit vazhdojnë të torturohen apo të keqtrajtohen në të paktën 81 vende. Në të paktën 54 shtete ata përballen me gjyqe të padrejta dhe nuk mund të flasin lirshëm në të paktën 77 të tjera, shton grupi. Sipas "Amnesty", liderët botërorë duhet të kërkojnë ndjesë për 60 vjet shkelje të të drejtave të njeriut, që pasi Kombet e Bashkuara miratuan Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, në 1948-ën. Grupi gjithashtu, i sfidon dhe u kërkon atyre të riangazhohen për të siguruar përmirësime konkrete. Raporti që mbulon plot 150 vende të botës, është publikuar pikërisht në prag të përvjetorit të 60-të të Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, që u adaptua më 10 dhjetor 1948. Meri Robinson, e cila nga viti 1997 deri në 2002 ishte komisionere e lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, tha se pranon se deklarata nuk është implementuar. "Unë mendoj se ne kemi një shans, gjatë vitit të përvjetorit të 60-të, të rivlerësojmë disa probleme të shfaqura pas sulmeve të tmerrshme në Shtetet e Bashkuara", tha ajo. Por, dokumenti i "Amnesty International", akuzon SHBA-në se po dështon të sigurojë një mbështetje morale për vendet e tjera të botës. "Si vendi më i fuqishëm i botës, SHBA ka detyrën të vendosë standardet për qeverisjen në shkallë globale", thekson raporti. Ai nënvizon se Uashingtoni e ka distancuar veten, vitet e fundit, nëpërmjet shkeljes në disa raste, të ligjit ndërkombëtar". Raporti thekson se SHBA duhet të mbyllë qendrën e burgimit në Guantanamo, ku mbahen të dyshuarit si terroristë dhe kërkon nxjerrjen e tyre para gjykatave të drejta apo lirimin e tyre. Raporti gjithashtu, i kërkon Uashingtonit të ndalojë të gjitha format e torturës dhe të mos mbështesë regjimet autoritare. Raporti veçon në këtë pikë mbështetjen e administratës së Presidentit Xhorxh Bush, për Presidentin pakistanez, Pervez Musharaf, kur ai vendosi në fuqi gjendjen e jashtëzakonshme, goditi mediat dhe shkarkoi nga puna gjyqtarët. Raporti thotë gjithashtu se edhe vende të tjera lidere në botë, duhet të reagojnë për të përmirësuar gjendjen e tyre të të drejtave të njeriut. Kinës i kërkohet të mbajë premtimet e saj për të drejtat e njeriut, të lejojë fjalën e lirë dhe t‘i japë fund politikës së saj të riedukimit nëpërmjet punës. Rusia inkurajohet të tregojë tolerancë më të madhe për disidentët politikë dhe të mos lërë të padënuara abuzimet me të drejtat e njeriut në Çeçeni. BE-së ndërkohë i kërkohet të investigojë mbi bashkëpunimin e vendeve anëtare të saj në të ashtuquajturat "rrëmbime" të të dyshuarve si terroristë. 2007-a u karakterizua nga impotenca e qeverive perëndimore dhe dominimi i mungesës së vullnetit të fuqive të reja për të luftuar disa nga krizat më të rënda të të drejtave të njeriut në botë. Ndërsa 2008-a, sipas drejtuesve të "Amnesty", përbën një shans të paprecedentë për ngjitjen në pushtet të liderëve të rinj dhe përcaktimin e drejtimeve të reja, refuzimin e politikave miope dhe praktikave që në vitet e shkuara e kanë bërë botën një vend më të rrezikshëm dhe më të ndarë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›