Bota nën këmbët e “Messiah”

www.albania-sport.com - “Kriza mistike” e shtypit dhe futbollit botëror të provokuar nga ndeshja e pabesueshme e Leo Mesit kundër Arsenalit (katër gola të argjentinasit) u fotografua shumë mirë nga tabloidi anglez “The Sun”: “Messiah”. Një nga shumë gazetat që kurorëzonin Lionel Mesi, përfshirë dhe ato rivale nga Madridi, tashmë të preokupuara në prag të “El Classico”-s të së shtunës mbrëma. “Mbreti i ri i futbollit”, - shkruan “Marca”, që shton: “Si mund të ndalojmë këtë njeri?”
“Mesi da miedo”, çka përkthehet në shqip “Mesi i frikshëm”, është titulli i gazetës tjetër madrilene “As”, që duartroket për “pokerin e jashtëzakonshëm” të numrit 10 të Barcelonës, duke shkruar se “nuk është i kësaj bote”.
Edhe për gazetën franceze “L’Equipe”, Mesi është i një planeti tjetër, një “Zot që e meriton”, shkruan ajo në faqen e saj. Duke u rikthyer në Spanjë, gazeta katalanase “Mundo Deportivo” kufizohet me një “Mesi gjenial”, e në kuadër të ndeshjes kundër “los blancos” (Reali i Madridit) shkruan “katër herë ‘po’, aq sa golat e shënuar nga “pleshti” (nofka e Mesit). Duke qëndruar në Katalonjë, faqja në internet e së përditshmes “Sport”, propozon: “Mos thoni futboll, thoni Mesi”, duke shtuar “nuk ka më diskutim se është më i miri në botë”.
“Daily Mail” në Angli shkruan: “Numri 10 perfekt më parë ishte Pele, më pas erdhi Maradona... dhe tani përshëndesim mbretin e ri’. Për të përditshmen angleze, megjithatë, Mesi mund të krahasohet qysh tani me dy gjenitë e mëdhenj të historisë së futbollit. “Mirror” u jep hapësirë deklaratave të Arsen Vengerit. Për trajnerin e Arsenalit, Mesi është një lojtar për “playastation”. “Times” e përkufizon thjesht një “gjeni i futbollit”. Për gazetën “The Guardian” është “magjik” dhe për “News of the World” është i “mrekullueshëm”.
Në atdheun e sulmuesit, Argjentina, “Clarin” shkruan se Mesi dha një tjetër dëshmi të “gjenialitetit” të tij. “Ole” uron që të shohë të njëjtin Mesi edhe në Botërorin e Afrikës së Jugut. “La Nacion” flet për një lojtar “pa kufij”, “impresionues”. Edhe faqet e para të shtypit gjerman, italian, brazilian, por dhe shqiptar shkruajnë për Mesin, por tani është radha e Hoze Murinjos së Interit t’i bëjë vetes pyetjen që shtroi “Marca”: “Si ta ndalojmë këtë njeri?”
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Merkure, 07 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili