Kupa, Cikalleshi e çon Besën në finale

www.albania-sport.com - Sulmuesi i talentuar, Sokol Cikalleshi, me golin e tij të artë në fitoren 1-0 kundër Shkumbinit në Peqin, i siguroi Besës kualifikimin për herë të 8-të në finalet e Kupës së Shqipërisë, teksa kavajasit do të diskutojnë për herë të tretë trofeun me Vllazninë, pas dy të parave të humbura në vitin 1972 dhe 1981.
Në një atmosferë të zjarrtë në fushën e Peqinit, në praninë e një numri rekord shikuesish, mbi 10 mijë, 3 mijë prej të cilëve nga Kavaja, në të cilën nuk munguan edhe incidentet (Fagu i Besës u dëmtua pas hedhjes së shashkave dhe sendeve të forta nga tifozët peqinas), Shkumbini hodhi poshtë një mundësi të jashtëzakonshme për të shkruar emrin e tij në historinë e finaleve të Kupës së Shqipërisë.
Pas barazimit 1-1 shpresëdhënës në Kavajë dy javë më parë, skuadra peqinase ishte e kualifikuar deri në minutën e 70-të, kur sulmuesi i Besës dhe i Shpresës, 19-vjeçari Sokol Cikalleshi, i cili kishte shënuar edhe në fitoren 2-1 të kavajasve në Peqin në fazën e parë të kampionatit, jo vetëm që realizoi golin e vetëm të ndeshjes, por nxori jashtë loje peqinasit.
Njëzet e katër minutat (përfshirë dhe shtesat) u shndërruan një një ferr të vërtetë për skuadrën e Përparim Daiut, pavarësisht se nga minuta e 80-të, Besa luajti me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të autorit të golit, Sokol Cikalleshit.
Gjithsesi, pas një penalltie të pretenduar nga Shkumbini e të pa dhënë nga gjyqtari ndërkombëtar Albano Janku, situata u ndërlikua në ekstrem, e që pas fërshëllimës përfundimtare të bilbilit të FIFA-s, tifozeria shkatërroi plotësisht rrjetën e njërës prej portave.
Besa, që u rikthye për herë të tetë në një finale e që ka fituar vetëm një herë, atë në edicionin 2006-2007 ndaj Teutës, skuadrës së eliminuar nga kundërshtari i saj i 9 majit, Vllaznia, synon ta riçojë për herë të dytë në Kavajë trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend nga një “Qemal Stafa”, ku për herë ta parë e të vetme “kupën me veshë” e kishte ngritur ish-kapiteni i saj, Parid Xhihani, një trofe i dorëzuar nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, një tifoz i deklaruar i kavajasve.
BESA-VLLAZNIA
DY FINALET E MËPARSHME
1971-1972: Besa-Vllaznia 0-2, 3-4
1980-1981: Vllaznia-Besa 5-1, 1-2
RRUGA E BESES
Në rrugën drejt finales, Besa eliminoi në turin e parë Pogradecin e Kategorisë së Parë me dy fitore të ngushta: 3-2 në Pogradec dhe 1-0 në Kavajë. Në turin e dytë eliminoi Laçin: fitoi 0-1 në takimin e luajtur në Lezhë dhe barazoi 1-1 në ndeshjen e kthimit në Kavajë. Në turin e tretë, çerekfinalet, Besa eliminoi Tiranën: fitoi 2-0 në Kavajë dhe humbi 4-2 në kryeqytet, duke mbërritur në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale eliminoi Shkumbinin: barazoi 1-1 në Kavajë dhe fitoi 1-0 ndeshjen e kthimit në Peqin.
BESA
Viti i themelimit: 1925
President: Nexhat Bizhdili
Stadiumi: “Besa”, Kavajë
Pjesëmarrëse: në 52 edicione
Në çerekfinale: 22 herë
Në gjysmëfinale: 11 herë
Në finale: 8 herë
Fituese: 1 herë
Finale të humbura: 6 herë
Finale për tu luajtur: 1 (2010)
Fituese: 2006-2007
Finaliste e humbur: 1961, 1962-1963, 1970-1971, 1971-1972, 1980-1981, 1991-1992
Gjysmëfinaliste: 1957, 1958, 1964-1965, 2009-2010
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Merkure, 07 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili