Bashkim Shehu: Tema diktohet vetëm nga imagjinata e autorit
Përse shkrimtarët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit, e mbi të gjitha ata që edhe krijojnë në gjuhën e vendit mikpritës, zgjedhin të shkruajnë më së shumti mbi tema që evokojnë ngaherë kujtimet e Shqipërisë komuniste? Duke marrë shkas edhe nga artikulli i shkrimtares Mira Meksi, botuar në gazetën “Shqip” nën titullin “çfarë përkthehet sot nga letërsia shqipe në frëngjisht” ku mes të tjerave, ajo ngre edhe çështjen e të shkruarit dhe të përcjellit nëpër botë të një letërsie shqipe e cila merr mbi vete një sjellje prej “zbuluesi botësh të ndaluara” dhe prej “viktime”, gazeta “Shqip” çel këtë debat të hapur.
Bashkim Shehu është ndër ata shkrimtarë shqiptarë i cili edhe pse prej vitesh e ka ndërtuar jetën në Spanjë ku edhe krijon, sërish nuk e ka braktisur gjuhën amtare për të përcjellë mendimet e tij letrare. Por kjo është diçka e natyrshme tek ai e jo një zgjedhje personale të cilën mund ta ndryshojë papritmas. Jo rrallëherë romanet e tij evokojnë të shkuarën e vendit, të përjetuar prej shkrimtarit i cili i përcjell ndjesitë lexuesit që nuk është gjithmonë shqiptar. Të përkthyera në disa gjuhë të huaja, romanet e Bashkim Shehut, të cilat përcjellin temën e kujtesës, rikompozimin e ngjarjeve të shkuara në vendin e autorit, tema e diktaturës komuniste në një vend të vogël si Shqipëria, janë bërë të njohura edhe për lexuesin e huaj. Megjithatë, nuk kemi të bëjmë me një fenomen i cili i përket vetëm Bashkim Shehut. Ka mjaft nga ata shkrimtarë shqiptarë, të cilët si ai kanë zgjedhur të ngrenë jetën përtej kufijve e po aty të ndërtojnë krijimtarinë e tyre letrare.
Shkruajnë në gjuhën e vendit mikpritës, (fenomen mjaft i përhapur vitet e fundit) dhe rrëfejnë për lexuesin e po atij vendi, ngjarje e histori të jetuara në vendin e tyre ish-komunist. Duke marrë shkas edhe nga një artikull i shkrimtares Mira Meksi, botuar para pak javësh në gazetën “Shqip” nën titullin “çfarë përkthehet sot nga letërsia shqipe në frëngjisht” mes të tjerave, ajo ngre edhe çështjen e të shkruarit dhe të përcjellit nëpër botë të një letërsie shqipe e cila “merr mbi vete një sjellje prej ‘zbuluesi botësh të ndaluara’ dhe prej viktime”. Përse shkrimtarët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit, e mbi të gjitha ata që edhe krijojnë në gjuhën e vendit mikpritës zgjedhin të shkruajnë më së shumti mbi tema që evokojnë ngaherë kujtimet e Shqipërisë komuniste? A mos kemi të bëjmë këtu me një prirje të lexuesit të huaj, apo me një zgjedhje të vetë shkrimtarit për të pasur shitje e njohje të librit dhe atij vetë? është kjo një kërkesë e botuesve të huaj kundrejt letërsisë së një vendi të vogël si Shqipëria? Shkrimtari Bashkim Shehu, u përgjigjet pyetjeve për këtë debat të hapur në të cilin ftohen të marrin pjesë të gjithë shkrimtarët që gjejnë veten e që ngacmohen prej kësaj teme.
A është e diktuar për shkrimtarët zgjedhja e temës nga lexuesi të cilit i drejtohen?
Lexuesi të cilit i drejtohen shkrimtarët është ai që Umberto Eco e quan “lexues ideal”, dhe që ekziston vetëm në mendjen e shkrimtarit. E kam fjalën për shkrimtarin që i kushtohet cilësisë estetike të tekstit, jo numrave të shitjes. Pra, ky “lexues” është po aq imagjinar sa personazhet, është krijesë e imagjinatës së shkrimtarit. Madje është dyfish imagjinar, sepse ajo që thotë Umberto Eco është një hipotezë për një qenie imagjinare. Duke e pranuar këtë hipotezë, dhe me aq sa e kuptoj, ky lloj “lexuesi” gjendet në pjesën e pavetëdijshme të imagjinatës së autorit. Rrjedhimisht, tema diktohet vetëm nga imagjinata e autorit, dhe ndoshta më së tepërmi në mënyrë të pavetëdijshme. E kam fjalën, siç thashë, për ata shkrimtarë që punojnë për autenticitetin e krijimit, jo për suksesin komercial. Ndërsa ata që punojnë për suksesin komercial përpiqen të ndjekin shembullin e të tjerëve që kanë pasur sukses komercial, ta gatuajnë librin sipas recetave që mund të nxirren prej librash bestseller. Por në këtë rast kemi librin si mall, si objekt marketingu, jo si letërsi.
Mos është një domosdoshmëri për t'u çliruar nga përjetimet personale?
E vetmja domosdoshmëri e letërsisë është që të shkruash mirë, nuk ka rëndësi nëse duke mbetur te përjetimet personale apo duke iu larguar atyre, sikurse nuk kanë rëndësi problemet psikologjike që mund të ketë një autor. çfarë do të thotë “të shkruash mirë”? Kjo është pyetja së cilës çdo shkrimtar sadopak serioz mundohet t’i përgjigjet me çdo vepër të vetën, dhe mendoj se mungesa e përhershme e një përgjigjeje përfundimtare ngërthen arsyen e krijimit letrar.
A ka vend për aludime të tipit që tema të tilla ngjallin kureshtjen e lexuesit të huaj dhe sigurojnë suksesin?
Në rastin tim ka ndodhur e kundërta. Së paku këtu në Spanjë, po edhe në Francë, mua më kanë sugjeruar se këto tema, për të cilat edhe unë shkruaj, nuk i interesojnë më publikut, se janë tepër të zymta, se publiku do gjëra më argëtuese, dhe të shkruara në një mënyrë lehtësisht të kapshme. Por ky nuk është problemi im, dhe mendoj se nuk është i asnjë shkrimtari. E shumta, është problem i botuesve, i shpërndarësve dhe i librarëve, dhe vetëm në aspektin ekonomik të veprimtarisë së tyre.
Duhet paragjykuar një fenomen i tillë?
Gjërat duhen gjykuar, jo paragjykuar.
#