E Diel, 1 Nëntor 2026

Bota po e fiton betejën kundër minave të tokës

Centimetër pas centimetri, hap pas hapi, bota edhe pse me shumë vështirësi është duke fituar një nga të paktat luftëra të mira të saj: atë kundër minave të tokës. Javën e kaluar, në një konferencë në Kolumbi, së cilës nuk iu bë shumë reklamë nga mediat kryesore, u mblodhën organizatat të cilat merren me çmontimin e minave. Ato raportuan se zona shumë të mëdha të planetit, dikur zona konfliktesh ishin spastruar nga minat. Ka ende punë për t‘u bërë, por deri më tani është arritur një përparim i dukshëm që jep shpresë dhe optimizëm se një ditë, shumë shpejt minat nuk do ndodhen më në kurriz të tokës për të rrezikuar jetët e njerëzve. Gjatë 10 viteve të fundit, sipas raportit më të fundit të publikuar, janë pastruar dhe çaktivizuar mbi 2 milionë mina dhe 44 milionë të tjera që ndodheshin nëpër depo e magazina janë shkatërruar. Viti i fundit ka qenë më i miri dhe më i efektshmi në luftën kundër minave. Gjatë gjithë 2009 është pastruar një zonë me sipërfaqen e Brukselit.
Fushata botërore e luftës kundër minave të tokës, të cilat vrasin e marrin jetë njerëzish edhe sot e kësaj dite, ka ndikuar edhe në pakësimin e numrit të vendeve që i kanë përdorur ato. Nga 15 që ishin në vitin 1999, sot ato janë vetëm 2: Rusia dhe Burma. Rreth 60 grupe rebele që nga Somalia e deri në Filipine kanë reshtur së futuri mina nën tokë. Vetëm 3 vende: India, Pakistani dhe Burma mund të kenë prodhuar mina-antinjeri në vitin 2008. Megjithatë, lufta nuk ka marrë ende fund. Raporti i minave bën të ditur se mbi 70 shtete ende mendohet që të preken nga pasojat e minave dhe kanë mbetur për t‘u pastruar edhe 3 mijë kilometra katrorë mina. Konferenca e Kolumbisë bëri bashkë përfaqësues nga 165 vende që janë pjesë e Traktatit të Ndalimit të Minave të vitit 1997. Në të u tha se si pasojë e punës së saj thuajse ka ndaluar përdorimi i minave në shkallë botërore, janë shkatërruar dhjetëra milionë mina dhe shumë të tjera janë bërë të padëmshme, duke u çaktivizuar. Dikur tokat e ndotura me mina, sidomos në vendet e varfra të planetit, tashmë janë shndërruar në toka buke që ushqejnë njerëz dhe ky është një lajm i jashtëzakonshëm. 80% e shteteve të botës kanë nënshkruar marrëveshje, ndërkohë vetëm 39 vende nuk e kanë hedhur ende firmën. Mes tyre janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Kina. Kina, së fundi duket se ka filluar që të ndryshojë qëndrim, ndërsa për herë të parë në konferencën e Kolumbisë mori pjesë një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës çka tregon një ndryshim të qëndrimit të Uashingtonit, Shtetet e Bashkuara nuk kanë eksportuar mina antinjeri që nga viti 1992, nuk kanë prodhuar që nga viti 1997 dhe nuk ka përdorur që nga viti 1991. Ajo çka ata ende nuk kanë bërë është shkatërrimi i sasive të mëdha që ndodhen nëpër magazina. Vetëm në SHBA mund të ketë mbi 10 milionë mina, në Kinë mbi 110 milionë, ndërsa në Rusi mbi 25 milionë. Një e mirë tjetër e punës së organizuar për pastrimin e minave është edhe punësimi i qindra mijëra njerëzve në vende të ndryshme të botës. Së fundi ka filluar puna për të spastruar minat e Gazës dhe shumë shpejt do të shkohet në Afganistan e Kolumbi. Ndër vendet që mund të konsiderohen si një "varr" minash është edhe Laosi. Rasti i Laosit është i jashtëzakonshëm. Në këtë vend, gjatë luftës së vitit 1963-1974 janë hedhur më shumë mina dhe bomba sesa në të gjithë Europën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe sot 35 vjet pas mbarimit të luftës, një e katërta e fshatrave të Laosit është e mbushur me bomba dhe mina të paplasura dhe sipas një raporti të të drejtave të njeriut mund të ekzistojnë mbi 27 milionë pjesë të paçmontuara e të rrezikshme. Shumë organizata nga e gjithë bota kanë investuar këtë vit dhe kanë arritur që të pastrojnë 6.5 milionë metra katrorë tokë. Që nga viti 2007 115 shkolla janë deklaruar të pastra nga minat dhe një pjesë e tyre janë kthyer në funksionin e tyre. Në Kamboxhia, 40% e popullsisë së vendit jetojnë nëpër zona shumë të rrezikshme. Kjo jo vetëm që ka marrë jetën e njerëzve (për 3 vjet janë vrarë 1450 persona), por i ka varfëruar shumë të gjithë duke qenë se tokat nuk punohet dhe lihen djerrë nga frika e minave. Falë punës që është bërë për një dhjetëvjeçar shumë fshatra janë pastruar dhe mund të mbjellin çfarë të duan, të shëtisin të qetë e të lirë dhe të eksportojnë prodhime bujqësore për të begatuar jetën e tyre dhe rritur mirëqenien. Këta 12 muajt e fundit janë bërë përparime të mëdha edhe në Sudan, ku janë pastruar 10.7 milionë metra katrorë tokë, në Sri Lanka ku janë pastruar 1.7 milionë dhe Liban ku janë pastruar 11 milionë. Por këto pajisje të vogla që janë sinonim i vdekjes vazhdojnë edhe sot të marrin jetë njerëzish. Vitin e kaluar, vetëm nga shpërthimet e minave ka pasur 5197 viktima, një shifër rrëqethëse, por që gjithsesi është shumë më e reduktuar nga shifra 8000 e viktimave në vitet 1999-2003.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›