E Diel, 1 Nëntor 2026

Mimoza Kruja: Bashkëshorti më thoshte se punojnë edhe fëmijë

Prokuroria kërkoi dje si dëshmitare edhe Mimoza Krujën, e cila ka humbur bashkëshortin nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit 2008. Ajo banon në Vorë, së bashku me tri vajzat. Ditën e ngjarjes ndodhej në shtëpi bashkë me fëmijët. "Dëgjova një zhurmë të madhe dhe mendova se mund të ishte ndonjë rrëzim makine. Dikush na tha se ka shpërthyer Gërdeci dhe vajzat hipën në tarracën e pallatit dhe po merrnin të atin në telefon. Ai nuk po përgjigjej", tregon Mimoza, duke saktësuar se bashkëshorti i saj, Reshit Kruja, punonte si roje. "Mora kunatin dhe u nisa drejt Gërdecit. S‘na lanë policët. Më pas mora vajzat dhe u largova nga Vora dhe i strehova në Tiranë. Kur po iknim, vinte era baruti dhe një zjarr i nxehtë. Gjatë rrugës për në Tiranë ndodhi edhe shpërthimi. Të nesërmen shkova në Vorë për të kërkuar. Na thanë se e kanë gjetur dhe është në morg. U nisa atje dhe e gjeta trupin e pajetë. Është një dhembje e madhe për familjen pasi bashkëshorti ikën në punë... Dua të theksoj se bashkëshorti im ishte një njeri fjalëpak e punëshumë. Më thoshte disa herë: ‘Moza, gjynah ata fëmijë që punojnë atje, pasi shefat u kërkojnë shumë llogari‘. Shteti është përgjegjës për këtë ngjarje", përfundon dëshminë Mimoza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›