Rikthehet dhjetori i dhunshëm në rrugët e Athinës
Dhjetori hyri përsëri i dhunshëm në Athinë dhe jo vetëm. Për më se 72 orë, në dhjetë qytete kryesore të Greqisë, ceremonitë përkujtimore në përvjetorin e vrasjes së adoleshentit 15-vjeçar Aleksandros Grigoropulos u kthyen përsëri në protesta të dhunshme, në përleshje me forcat policore, ku u plagosën mbi 20 vetë, qytetarë dhe pjesëtarë të forcave të rendit. Përsëri në rrugët e kryeqytetit grek u shfaqën të rinjtë me maska, me kapuça, me kaska. Pavarësisht mesazheve të udhëheqjes politike greke, pavarësisht apelit të vetë familjes së 15-vjeçarit grek që humbi jetën kaq padrejtësisht, përsëri, kryesisht të rinjtë dhe grupet e majta anarkiste, qytetarë të thjeshtë, kanë protestuar duke shprehur revoltën e tyre. Një vit pas revoltave të dhunshme të dhjetorit të kaluar, në të cilat u shkatërruan mijëra dyqane, banka, makina, revolta në të cilat u shpreh zemërimi popullor për gjendjen katastrofike të shoqërisë greke, çdokush mund të thotë se asgjë nuk ka ndryshuar. Ekonomia greke është në prag të falimentimit, vendi përballoi një krizë politike që e çoi në zgjedhje të parakohshme, papunësia është në shifra rekord për një vend të BE-së. Mijëra të rinj, nxënës të shkollave të mesme apo të universiteteve, shohin një të ardhme të zymtë, pa shpresa për ta, një sistem të cunguar arsimi, korrupsion të madh politik, nuk shohin rrugëdalje. Përsëritja e revoltave të dhunshme është pikërisht përgjigjja ndaj kësaj neglizhence të klasës politike greke, që qëndron pothuajse e izoluar nga forca punëtore dhe kryesisht nga rinia. Janë përsëri të rinjtë grekë që hyjnë dhe zaptojnë ndërtesat universitare, që djegin flamurin grek, që shprehen tashmë të zhgënjyer ndaj udhëheqjes së vendit, si dhe ndaj mënyrës se si përgjigjet vetë ky shtet me anë të dhunës policore. Por cilët janë protagonistët e kësaj revolte të re në këto ditë dhjetori në Athinë? Pa dyshim, shumica e protestuesve vjen nga gjiri i grupeve të majta anarkiste, që vitet e fundit gjithnjë e më shumë shprehin me sulme me bomba molotov ndaj bankave, postave policore apo institucioneve shtetërore, idealin e tyre kundër një shteti që punon "për të varfëruar qytetarët e tij", ashtu siç deklarojnë në peticionet e tyre. "Kur ndodhem para xhamave të një banke, thoshte në intervistën e tij në një prej mediave televizive greke një anarkist, kuptoj se kam përballë një organizëm, një institucion që do të pasurohet në kurriz të njerëzve të mi. E vetmja mënyrë që kam për ta ndaluar këtë gjë, është t‘i thyej këto xhama", shton ai. Mbi 800 të rinj janë shoqëruar në rajonet e ndryshme policore në këto tri ditë, nga Athina e Selaniku, deri në Iraklio e Hania të Kretës, në Janinë, në Patra. Janë kryer më shumë se 180 arrestime, por deri në orët e mbrëmjes të së hënës, mbaheshin në rajonet e policisë vetëm 43 të rinj. Ajo çka krijon përshtypje është se midis tyre ndodhen rreth 13 të rinj shqiptarë, por edhe bullgarë, spanjollë, italianë, francezë, polakë, të ardhur posaçërisht në Athinë për "të hedhur" edhe ata gurin e tyre dhe bombën molotov ndaj njerëzve që përfaqësojnë rendin, ndaj shtetit që sipas tyre vjedh qytetarët e tij. Ajo që ndryshon te protesta e tre ditëve të fundit është fakti se janë dëmtuar shumë pak banka apo makina qytetarësh dhe ky fakt, siç "krenohet" një pjesë e shtypit proqeveritar, për meritë të policisë greke dhe punës së mirë të ministrit të ri të Mbrojtjes së Qytetarit. Duke marrë informacione të pakta për të dhënat e të rinjve shqiptarë, mësojmë se mosha e tyre është nga 16 deri në 20 vjeç. Identiteti i tyre nuk bëhet i ditur, por ajo çka mësohet është fakti se vetëm një prej tyre do të marrë masën e arrestit, kurse të tjerët do të lirohen. Të gjithë të arrestuarit do të dalin para prokurorisë dhe pritet të marrin aktakuzat që lidhen me prishjen e rendit dhe qetësisë publike, shkaktim dëmtimesh trupore ndaj forcave policore, armëmbajtje pa leje, shkelje të ligjit mbi përdorimin e armëve. Sipas analistëve vendas është më se logjike që pakënaqësia për gjithçka që nuk shkon mirë në vitet e fundit në shtetin grek, prek kryesisht radhët e rinisë, pa përjashtim nacionalitetesh. Është ai brez që në pankartat që mban në duar dhe proteston në këto tri ditë, kërkon arsyen se përse humbi një jetë që ende nuk kishte filluar, përse mijëra jetë të tjera në fillim të rrugës së tyre nuk mund të ëndërrojnë. Dhe përderisa askush nuk jep ndonjë përgjigje, ose përgjigjet që jepen janë tepër lakonike, atëherë sytë e tyre mbushen me zemërim. Atëherë dhjetori bëhet përsëri i dhunshëm.