Jeremiç: Serbia pret të ndalen njohjet
Beogradi synon që, pas përfundimit të shqyrtimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, "të mos ketë më njohje të Kosovës" dhe që Kosova të mos anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, në të cilat "anëtarësimi është privilegj i shteteve sovrane", është shprehur sot shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç. Kjo është detyrë e diplomacisë serbe dhe nëse do të jetë e suksesshme, "do të bëhet e qartë se nuk ekziston alternativa e ringjalljes së negociatave", ka thënë Jeremiç në një intervistë për gazetën "Blic" të Beogradit. Sipas tij, Beogradi shpreson në ringjalljen e bisedimeve, të cilat do të rezultojnë me një zgjidhje kompromisi. Jeremiç përsëri i është kërcënuar Malit të Zi pas paralajmërimit të Podgoricës zyrtare se do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Prishtinën, duke thënë se kjo "paraqet futjen e panevojshme e gishtit në syrin e Serbisë". Jeremiç shpreson se kjo nuk do të ndodhë. "Megjithatë, nëse ndodh, do të reagojmë në mënyrë adekuate, në pajtim me interesat tona shtetërore", tha Jeremiç, duke lënë të kuptohet se Beogradi sërish do ta dëbojë ambasadorin malazez. Ndërkaq, në lidhje me deklaratën e Presidentit kroat për nevojën e "dekosovizimit të politikës serbe", Jeremiç tha se nuk dëshiron të përgjigjet ndaj "provokimeve" të Mesiçit, duke shtuar se shpreson që Presidenti i ardhshëm i Kroacisë do të ketë "qëllime më të mira" ndaj Serbisë.