E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori, "ethet" e futbollit pushtojnë botën

"Ethet" e futbollit kanë filluar të përfshijnë shumë pjesë të botës dhe veçanërisht Afrikën e Jugut, ku të premten, në orën 16:00 me takimin Afrika e Jugut-Meksika, hapet kampionati botëror në futboll.
Nga 32 kombëtaret, të cilat marrin pjesë në Botërorin 2010, Brazili dhe Spanja konsiderohen favoritë, ndonëse nuk duhet harruar as Argjentina, Gjermania, Holanda, Anglia dhe Italia.
32 kombëtaret janë të ndara në 8 grupe. Për fazën tjetër kualifikohen vetëm dy më të mirat nga secili grup, pra gjithsej 16 skuadra.
është interesant të theksohet se afrikano-jugorët, ka ditë që janë duke festuar rrugëve të Johanesburgut sikur kombëtarja e tyre të ketë fituar titullin e kampionit.
Ndërkohë, dhjetëra-mijëra adhurues të futbollit nga e gjithë bota kanë arritur në Afrikën e Jugut. Takimin e hapjes së Botërorit pritet ta shohin rreth 90 mijë veta dhe qindra miliona shikues përmes televizionit.
Të pranishëm në takimin e hapjes do të jenë shumë personalitete botërore dhe në mesin e tyre edhe presidenti i parë më ngjyrë i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela.
Lajmi për pjesëmarrjen e Mandeles në ceremoninë e hapjes ka gëzuar pa masë banorët e këtij vendi.
Takimi final i Botërorit 2010 zhvillohet më 11 korrik në orën 20:30.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›