E Diel, 1 Nëntor 2026

Maradona, në sulm Mesi nuk mjafton

Argjentina

Arti i topit, por edhe i ndëshkimit. Diego Armando Maradona është i vetmi trajner i Kupës së Botës 2010 që njihet më shumë se futbollistët. Janë të shumtë ata që pyesin se çfarë po bën “Pibe de Oro” për t’i dhënë “selesionit” trofeun më të rëndësishëm. Së pari, ai po praktikon stërvitjet gjatë mbrëmjes, kur është errësirë dhe bën ftohtë. Më pas, ata që humbasin ndeshjen brenda grupit duhet t’i nënshtrohen një lloj “pushkatimi”. Në vend të plumbave përdoren topat e futbollit. Humbësit, ashtu si tradhtarët qëndrojnë me shpinë në vijën e portës, ndërsa duhet të durojnë goditjet e fituesve. Argjentina është një skuadër e mbushur me perla. Ata janë përfaqësuesja që do të kenë më shumë tifozë në Afrikën e Jugut: rreth 25 mijë fansa, pjesa më e madhe e të cilëve “ultras” do të mbështesin ekipin. Por, argjentinasit janë edhe skuadra që ka më shumë talente dhe shpresa. Aty luan Lionel Mesi, lojtari më i mirë në botë, ndërsa stolin e drejton Maradona, një njeri që ka mahnitur botën me driblimet e tij. Handikapi i vetëm është fakti se Argjentina nuk shkon në finale që prej vitit 1990. Në turnetë e dy dekadave të fundit kanë ardhur vetëm zhgënjime. Tashmë, situata mund të ndryshojë. Kualifikimi drejt Kupës së Botës nuk ishte një shëtitje, por cila është ajo Kombëtare që mund t’i lejojë vetes luksin të grumbullojë Diego Militon vetëm në çastet e fundit dhe më pas ta lërë në stolin e rezervave?

Në sulmin “albiceleste” luajnë Higuain, Mesi dhe Tevez. Lajmi është fanella e titullarit për këtë të fundit, që nuk kursehet në stërvitje dhe e ka fituar vendin me shumë punë. Trajneri duket se i ka të qarta idetë për formacionin që do të hedhë në fushë kundër Nigerisë. Përpara portierit Romero do të rreshtohen Gutierrez, Demiçelis, Samuel e Haince. Maskerano dhe Veron luajnë përpara mbrojtjes, ndërsa treshja Tevez-Mesi-Di Maria do të mbështesë Higuain. Përveç Veron, të gjithë militojnë në ligat europiane, por edhe mesfushori ka kaluar shumë kohë në “Kontinentin e Vjetër”. Pozicioni në fushë i Leo Mesit i jep yllit të Barcelonës terren për driblimet dhe për shfrytëzimin e hapësirave të mbrojtjeve kundërshtare. Aktivizimi si sulmues i dytë, ndoshta do ta ndihmojë 22-vjeçarin të shkëlqejë edhe në përfaqësuese. Ky është basti i Maradonës, që në Botëror duhet të tregojë se është një teknik i aftë. Mbi të gjitha, Maradona është kujdesur për detajet: grumbullimi në kompleksin universitar të Pretorias (një kolegj modern mes gjelbërimit), është i ngjashëm me vendin ku Argjentina ishte akomoduar në triumfin në Meksikë ‘86. Fillimisht, trajneri bisedonte gjerë e gjatë me lojtarët, ndërsa tashmë bisedat i zhvillojnë Veron dhe Maskerano, të cilët janë dhe ndërmjetësit mes Diegos dhe skuadrës. Veron, i njohur për personalitetin, është lënë jo rastësisht në dhomë me Mesin. Për ta mbrojtur nga ankthi i paraqitjeve në Botëror, e ndoshta edhe për të bërë detyrën e një vëllai të madh. Ndërkohë, kapiteni Maskerano e shpërndan përgjegjësinë te të gjithë, kur pyetet përse Mesi nuk paraqitet në përfaqësuese si te Barça: “ëndërroj të ngre kupën në Afrikën e Jugut. Leo është një lojtar që bën diferencën në fushë, por ne të gjithë duhet ta ndihmojmë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›