Spanja, Injesta mungon ndaj Zvicrës, një problem muskular
“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, thjesht ne kemi marrë një masë paraprake, shpjegon trajneri Del Boske. Mesfushori spanjoll kishte braktisur para kohe fushën gjatë miqësores së fundit të luajtur nga Spanjë përballë Polonisë. Pikërisht në ndeshjen e së martës ndaj Kombëtares polake, Spanja kishte demonstruar të gjithë vlerën e saj dhe, tani mund ta themi me plot gojën, që është një nga favoritet për të fituar titullin kampion në Botërorin e ardhshëm, i cili do të nisë rreth 24 orë më pas në Afrikën e Jugut. Spanjollët kanë mundur të triumfojnë me një fitore të pastër 6-0, e cila e ka bërë më se të lumtur trajnerin e “Furisë së Kuqe”, Vinsente Del Boske, edhe pse, në fund të ndeshjes, i ftoi të gjithë të qëndrojnë me këmbë në tokë: “është një rezultat i rëndësishëm për ne, por do të duhet të jemi të kujdesshëm, sepse tani vjen pjesa më e vështirë. Në Botëror nuk do të ketë ndeshje të lehta. Synojmë të arrijmë finalen, por e dimë se përballë do të gjejmë skuadra të mëdha”. Del Boske më pas ka menduar të qetësojë tifozët për dëmtimin e Injestës: “Ka një problem të vogël në këmbë, por shpresoj asgjë të rëndë. Mjekët do ta mbajnë nën kontroll”. Mesfushori i Barcelonës ka një problem muskular dhe është shumë e mundur, që ai të mungojë për ndeshjen e parë, atë që Spanja do të duhet të luajë kundër Zvicrës.
#