Procesi Afrika 2010, një muaj pasion rreth Botërorit
Vetëm 24 orë përpara ndeshjes inauguruese të Botërorit 2010, ndërmjet Afrikës së Jugut dhe Meksikës, “Procesi Sportiv” do të nis maratonën njëmujore rreth aktivitetit më të rëndësishëm në botë. Në këtë verë të nxehtë, Johanesburgu do të shndërrohet në tempullin e emocioneve të papërsëritshme të futbollit, ndërsa “show” televiziv në “Top Channel” do të jetë arena e diskutimeve dhe komenteve për 64 ndeshjet që do të transmetohen në formatin “HD” në “SuperSport”. Me të zakonshmit Edi Manushi dhe Marina Vjollca, prej orës 23:10 të ditës së sotme do të nisë rrugëtimin “Procesi Afrika 2010”, i cili do t’i servirë sportdashësve shqiptarë spektaklin, emocionet dhe gjithçka ndodh rreth këtij turneu. Natyrisht, në këtë spektakël të përnatshëm, në të cilin do të pasqyrohen të gjitha detajet pikante të sfidave, por edhe të episodeve jashtë fushave të lojës, nuk kanë si të mungojnë opinionistët dhe gazetarët më të mirë. Redi Jupi, Gëzim Sinemati, Bujar Pregja, Kastriot çaushi dhe shumë artistë e humoristë, të cilët do t’i bashkëngjiten këtij paneli, do të jenë një arsye më shumë për të “gozhduar” të gjithë tifozët shqiptarë përpara ekranit të vogël. Nuk do të mungojnë analizat e hollësishme tekniko-teknike të 32 skuadrave pjesëmarrëse dhe të ndeshjeve që ato do të zhvillojnë në Kupën e Botës.
#