E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori afrikan dhe lufta ndaj vuvuzelave

Shumë televizione kanë vendosur të adaptojnë filtra pastrues për të eliminuar tingujt acarues. Me pak fjalë, vetëm teknologjia mund të na shpëtojë nga zhurma tyre e padurueshme

Botërori që po zhvillohet në Afrikën e Jugut rrezikon të hyjë në histori, jo për lojën e bukur të skuadrave, por për zhurmën e tmerrshme të trumbetave, të quajtura ndryshe vuvuzela - të zhurmshme si mushkonjat e panumërta në ditët e nxehta të verës, të mërzitshme dhe njëkohësisht të dëmshme për shëndetin. Nëse Afrika e Jugut e Nelson Mandela-s do të njihet në të gjithë botën për zhurmën shkatërruese të vuvuzelave, kjo do të thotë se diçka nuk ka funksionuar mirë. Para se të nisim të kuptojmë se si mund ta eliminojmë kolonën e tmerrshme zanore që na shoqëron në çdo ndeshje, duhet të shmangim keqinterpretimin e bërë nga presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter.

Vuvuzelat nuk i përkasin repertorit kulturor zulu, nuk janë simbol i futbollit afrikan, nuk i kanë rrënjët në muzikën etnike dhe nuk janë ndërtuar prej brirëve të koudout (një lloj antilope). Por kjo pak rëndësi ka. Gjëja më e rëndësishme është eliminimi i zhurmës së tyre, e cila nuk të lë të shohësh një ndeshje të qetë. Vuvuzelat janë shpikur nga një zotëri i quajtur Freddie Saddam Maake. Ideja e tij fillestare ishte ajo e trumbetave me mbështetëse gome, që vendosen nëpër biçikleta si zile. Në fillim, vuvuzela ndalohej nëpër stadiume, pavarësisht se Saddam dhe miqtë e tij i përdorën për të bezdisur kundërshtarët. Në vitin 1989, Saddam gjeti një firmë që nisi të prodhojë vuvuzelat prej plastike. Por duke qenë se idetë e këqija përhapen me shpejtësinë e dritës, le të përpiqemi të minimizojmë këtë ankth që po tërbon futbollistët, komentuesit sportivë dhe spektatorët nga e gjithë bota. Sepse është e kotë të mendojmë se adhuruesit e vuvuzelave do të heqin dorë prej tyre. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të kërkojmë edhe vetë disa rrugë shpëtimi. Këshilla e parë është të veprojmë me kujdes me zërin e televizorit të shtëpisë. Vuvuzela vepron mbi një frekuencë që varion mes 200-250 Herz. Shqetësimi është aq i madh sa televizionet BBC dhe ZDF po përpiqen të vendosin filtra për të pastruar zërin nga zhurma e tmerrshme që ato bëjnë. Pas tyre edhe HBS (Host Broadcast Services), shoqëritë që transmetojnë sinjalet audio dhe video për platforma të ndryshme, po përpiqen të hyjnë në fushën e veprimit. Në internet, edhe pse pa asnjë lloj garancie, ofrohen softuerë për të eliminuar zhurmën.

Wimbledon i ndalon

Por edhe pse fama e vuvuzelave po përhapet në të gjithë botën, në tempullin e tenisit, pra në Wimbledon, ato do të jenë kategorikisht të ndaluara.

Në “All England Club”, ku turneu prestigjioz i tenisit do të nisë të hënën tjetër, është hartuar lista e objekteve të ndaluara, që ashtu siç ka mbështetur një zëdhënës për BBC-në, “përfshin objekte të ndryshme, mes të cilave zilet, boret dhe nga ky vit edhe vuvuzelat”. Në Angli ekziston frika se trumbetat famëkeqe afrikanojugore mund të “shkatërrojnë” edhe evenimente të tjera sportive, si kampionati i kanotazhit apo kriketit. Për kompeticionin e parë, në faqen e internetit shkruhet se nuk do të lejohen, ndërsa për Federatën e Kriketit, për momentin nuk janë mes objekteve të ndaluara për të hyrë në stadium. Ndërkaq po mendohet edhe për sezonin e ri të Premier League dhe mundësinë e pranisë së tyre në stadium. Sipas një zëdhënësi të ligës angleze, i intervistuar nga BBC – “nuk ka asnjë nen në rregulloren e kampionatit që të ndalojë futjen e instrumenteve muzikore në stadium, pavarësisht zhurmës”, edhe pse në Skoci është e ndaluar me ligj hyrja e trumbetave në stadiume. Megjithatë një zëdhënës i ligës skoceze specifikoi se vendimi për këtë çështje duhet marrë nga klube të veçanta.

Rreziqet për shëndetin

Përveç problemeve me dëgjimin që zhurma e vuvuzelave mund të shkaktojë, ekziston edhe një rrezik tjetër i madh, ai i iktusit. Sepse t’i biesh pareshtur trumbetave emblemë të botërorit afrikan çon në një rritje shumë të madhe të presionit në enët e gjakut. Po ashtu nuk duhet përjashtuar edhe rreziku që vjen nga rritja e presionit intra-abdominal, si pasojë e rënies së vazhdueshme të tyre. I pranishëm është edhe rreziku i hemorroideve për shkak të presionit intestinal, ajo për glaukoma dhe miopi për shkak të sforcimit dhe presionit mbi syzet. Fondacioni Botëror i Dëgjimit, që është i përkrahur edhe nga kompania zvicerane për produkte dëgjimore “Phonak”, është shprehur se testet e fundit kanë treguar se zhurma që del nga vuvuzelat është shumë e fortë dhe mund të jetë me pasoja për ndonjë tifoz. Testet e bëra muajin e kaluar tregojnë se zhurma e tyre arrin në 127 decibelë, madje më shumë se një bri ajror që përdoret në Brazil gjatë sambës (123.5 decibel). “Zhurma që është më e madhe se 10 decibelë në vesh transmetohet dyfish më shumë, ndërsa mendoni zhurmën e vuvuzelave të pranishme në tribuna, se çfarë shkakton tek veshët e të tjerëve”, thuhet në komunikatën e Fondacionit Botëror të Dëgjimit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›