E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femrat, si mund të mbijetojnë!

Botërori 2010 Disa këshilla për gratë të cilat nuk u intereson sporti, por që kanë tifozë partnerët e tyre. Si mund të kaloni një muaj futboll me shtëpinë e mbushur me miqtë e tij që shkojnë e vijnë, pinë birra, bëjnë tifozllëk, bërtasin, shajnë, djersijnë

Më në fund, momenti i shumëpritur nga të gjithë meshkujt erdhi. Më 11 qershor filloi Botërori i Futbollit në Afrikën e Jugut. Sot, kur e gjithë bota ndjek këtë eveniment të rëndësishëm, femrat mezi presin të mbarojë, sepse për to, një muaj futboll është i padurueshëm. Megjithatë ngushëllimi i vetëm është se Botërori i Futbollit zhvillohet një herë në katër vjet, por edhe kjo e ka një të keqe, sepse zgjat një muaj. Gjatë atyre 30 ditëve, shtëpia është e mbushur me miqtë e bashkëshortit ose partnerit, që shkojnë e vijnë, pinë birra, bëjnë tifozllëk për skuadrat e zemrës, bërtasin, shajnë, djersitin, thonë fjalë të pista etj. Ndërkohë ajo që duhet të bëjnë femrat, të cilat nuk janë të interesuara pas futbollit, është të durojnë burrat tifozë. Ja disa këshilla për të mos e ndier peshën e këtij muaji të nxehtë.

1) Merrni numëratorin telefonik dhe telefonojini të gjitha mikeshave të cilat nuk i keni parë prej kohësh dhe keni shumë mall e dëshirë për t’i takuar: është momenti i duhur për të shijuar një aperitiv, për të vizituar një ekspozitë, për të shkuar në kinema, ose për të ngrënë një darkë bashkë. Nuk keni pse t’i jepni shpjegime të dashurit tuaj, i cili as që do t’ua vërë veshin, Të jeni të sigurta për këtë.

2) Prenotoni një tavolinë në restorantin që ju pëlqen dhe shkoni bashkë me nënën. Ndoshta i dashuri juaj ua kishte premtuar më parë, por tani nuk mundet, sepse nuk ka kohë. Gjithashtu për të kaluar këto ditë të nxehta qershori mund t’i dhuroni vetes një mbrëmje relaksi duke bërë masazhe.

3) Blini një televizor të vogël dhome. Gjatë mbrëmjeve me shi, ose atyre të mbushura me punë, mund të shihni filma në DVD ose serialet tuaja të preferuara, sepse televizori i madh në sallon është në duart e të dashurit tuaj dhe shokëve të tij.

4) Punoni gjatë gjithë kohës dhe ftoni në shtëpi ndonjë shok tuajin për të parë së bashku një ndeshje. Të paktën për një natë e keni shtëpinë dhe televizorin të gjithin për vete.

5) Keni për të bërë ndonjë punë (në kuzhinë ose tualet) në shtëpi (për të cilën partneri juaj nuk është dakord) ose dëshironi të bëni pushime të shtrenjta në një hotel luksoz (për të cilat ai nuk dëshiron të shpenzojë)?. është momenti i duhur për të diskutuar rreth kësaj çështjeje. Nuk keni pse të ndiheni në siklet, edhe pse e gjithë vëmendja e tij është e përqendruar te sporti dhe kjo do t’iu ndihmojë që përgjigjja e tij të jetë “Po”. Një fjalë e urtë thotë: “Hekuri rrihet sa është i nxehtë”. Nëse skuadra e tij e zemrës humbet, të paktën ju e keni diskutuar problemin dhe keni marrë përgjigje pozitive.

6) Mbajeni bosh frigoriferin. Duke bërë pazar, do t’u mbushni mendjen miqve të partnerit se tek ju hahet mirë dhe pihet pafund. Kështu lista do të shtohet dita-ditës.

7) Blini fustanin, këpucët dhe çantën që keni parë bashkë, por që nuk ua plotësoi dëshirën, sepse ishin pak të kushtueshme. Gjatë ditëve të nxehta të Botërorit ai nuk do ta vërë re, sepse nuk ka kohë t’iu kontrollojë juve dhe gardërobën tuaj.

8) Mos i kërkoni të ushqejë fëmijët dhe të kujdeset për ta: mund t’iu thotë për momentin po, por sa të largoheni ju, nuk do të kujtohet më për ata, para se të përfundojë ndeshja. Gjithashtu mund të ndodhë që kur të ktheheni në mbrëmje vonë në shtëpi, mund t’i gjeni fëmijët zgjuar, edhe pse zakonisht flenë në orën 9:00.

9) Gjatë ditëve të Botërorit, mos i bini në qafë bashkëshortit ose partnerit. Lëreni t’i shohë të gjitha ndeshjet, replikat, komentet: nuk do t’iu shërbejë asgjë që ta ndaloni, përveçse do të nxisni ndonjë zënkë të fortë. Ngushëllohuni me faktin që kur maratona e Botërorit të ketë përfunduar, telekomanda e televizorit do të jetë për një muaj në dorën tuaj, natyrisht jo gjatë verës, sepse nuk keni ç’të shihni, por në vjeshtë, shtator-tetor, kur fillon sezoni i ri i programeve. Detyra juaj është t’ia bëni këtë gjë të ditur që tani, në mënyrë që më vonë të mos keni keqkuptime.

10) Këshilla e fundit është që të gjitha vajzat që kanë të dashur, por nuk mund t’i takojnë për shkak se baballarët nuk i lënë, është momenti i duhur t’i përvisheni punës. Nuk duhet të humbisni më asnjë sekondë. Nëse deri tani keni flirtuar në internet, mos vazhdoni më. Nuk duhet të keni frikë, sepse baballarët nuk do t’iu bëjnë asnjë pyetje dhe nuk do të dyshojnë sepse e kanë mendjen te topi i futbollit që rrotullohet dhe përfundon në rrjetë. Jepini mundësi vetes të shijoni një mbrëmje të magjishme, pasi keni shumë kohë që dilni fshehtas dhe me gjak të ngrirë nga frika se mos zbuloheni.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›