E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, asistencë për Bunën dhe Liqenin e Shkodrës

Diskutohen investimet në fushën e energjisë së rinovueshme dhe mirëmenaxhimi i burimeve ujore

Italia do të japë asistencë për ekosistemet shqiptare. Ndërkohë që pritet që në vendin tonë të organizohet një konferencë ndërkombëtare lidhur me problemet mjedisore.

Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, zhvilloi një vizitë dyditore në Itali. Gjatë kësaj vizite, ministri Mediu mori pjesë si i ftuar nderi në një takim të përbashkët me ministres italiane të Ambientit, Stefania Prestigiacomo, dhe atij francez, Jean-Louis Borloo me rastin e firmosjes së një memorandumi mirëkuptimi italo-francez për mbrojtjen e zonës detare të përbashkët mes Sardenjës dhe Korsikës, zonë e njohur me emrin “Le Boçhe di Bonifacio”.
Gjatë vizitës në Itali, Mediu së bashku me delegacionin që e shoqëronte, u ftua në një takim në Romë, nga ministrja e Ambientit, Prestigiacomo, ku u diskutua rreth projekteve të përbashkëta mes dy vendeve mike, në fushën e Mjedisit.

Në këtë kontekst, pala italiane ra dakord që të ndihmojë Shqipërinë në planin e menaxhimit të ekosistemit të Liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna, si dhe të parkut rajonal të Alpeve me Malin e zi dhe Kosovën.

Gjithashtu, u diskutua edhe për projekte të tjera bashkëpunimi mes agjencive mjedisore të dy vendeve, si dhe në të ardhmen të shikohej mundësia e një binjakëzimi të tyre. Një vlerësim mjaft pozitiv patën edhe diskutimet rreth investimeve në fushën e energjisë të rinovueshme apo të mirëmenaxhimit të burimeve ujore.

Ministrja italiane, Prestigiacomo, shprehu me kënaqësi interesin për të qenë e pranishme në një takim të ardhshëm në Shqipëri, me ftesë të ministrit të Mjedisit, Mediu, për një konferencë ndërkombëtare për çështjet mjedisore.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›