E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla e Baletit, asistencë falas për konkurrentët

Ndryshon procedura e rekrutimit të talenteve të reja në shkollën e mesme artistike, pas 2 javësh konkursi final

Ndryshe nga vitet e kaluara, Shkolla profesionale e Baletit në Tiranë ka vendosur të aplikojë një mënyrë të re përzgjedhje për pranimin e talenteve të reja në këtë shkollë parauniversitare artistike. Drejtuesit kryesorë të këtij institucioni arsimor kanë dërguar në çdo shkollë nëntëvjeçare broshura dhe fletëpalosje informative, edukuese apo edhe formuese.

Këto lajmërime kanë si synim evidentimin dhe inkurajimin e talenteve të pazbuluara ende, si edhe plotësimin e dëshirën e atyre fëmijëve që e kanë ëndërruar të vallëzojnë në skena e të profilizohen në fushën e baletit.

“Shkolla e Baletit nuk është institucion që prodhon, por synon të përzgjedhë ata vogëlushë që në moshën 10-vjeçare rezultojnë të janë talente, ose paraqesin premisa për t’u bërë balerinë të denjë. Ne kemi si qëllim t’i mësojmë, por edhe t’i punojmë ata, me shpresën për të arritur rezultate të konsiderueshme”, tha Blerina Arbana, drejtoresha e Shkollës së Baletit. Kanë kaluar plot dy muaj që nga nisma më e fundit që ka ndërmarrë ky institucion. Ka mbetur vetëm një muaj për të përmbyllur fazën e trajnimit të fëmijëve të përzgjedhur.

Kjo iniciativë ka për qëllim përzgjedhjen e talenteve, por edhe gjetjen e vogëlushëve, të cilët përmbushin edhe kriteret fizike ata që plotësojnë parametrat trupore, matje antropometrike, sipas kushteve të kërkuara. Një grup prej 5 mësuesish profesionistë, bashkë me drejtoreshën e këtij institucioni, kanë trokitur në pothuajse 50 shkolla nëntëvjeçare të vendit. Qëllimi i kësaj nisme është zbulimi i talenteve, që për shkaqe ekonomike nuk kanë mundësi financiare për të përballuar çmimet që ofrojnë kurset private sot në vend. “Kjo është një mundësi tepër e mirë për t’ju krijuar mundësi të gjithë fëmijëve që ëndërrojnë të bëhen balerinë, por që për fat të keq prindërit e kanë të pamundur të përballojnë shpenzimet e tyre”, sqaroi Arbana.
Ky projekt parashikon kurse falas për të gjithë të përzgjedhurit e fazës së parë gjatë shkollave nëntëvjeçare.

Gjatë këtyre trajnimeve do të përftohen njohuri nga zhaner të ndryshme, duke përfshirë: baletin klasik, vallen, si edhe dancin sportiv. Në këtë periudhë fëmijët e përzgjedhur nga juria e vënë në dispozicion, do të trajnohen për çdo ditë nga ora 9.00-12.00 të paradites në sallat e këtij institucioni. Ata do të përgatiten nga mësues të kualifikuar, të cilët do t’u qëndrojnë “mbi kokë”, me synimin për t’i përgatitur konkurrentët për testin që do të zhvillohet më datë 1 korrik në Shkollën e Baletit.
Fëmijët që do të trajnohen gjatë 3 muajve, do të kenë mundësi të konkurrojnë, duke vënë në provë aftësitë e tyre, me qëllim marrjen e së drejtës së studimit, pranë kësaj shkolle artistike.
“Kjo është mënyra më transparente e realizuar ndonjëherë në rang vendi. Ne synojmë t’u vijmë në ndihmë dhe t’u plotësojmë fëmijëve ëndrrën për të ndjekur mësimet e përgjithshme, por edhe ato të baletit në shkollën tonë”, theksoi drejtoresha.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›