E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore, 7 ditë kohë për ankesat

çdo nxënës që pretendon se nuk është vlerësuar siç e meriton ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e tezës

Për të gjithë maturantët që kërkojnë të bëjnë ankesë për vlerësimin dhe notën që kanë marrë në provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të letërsisë, ka një zgjidhje. Ministria e Arsimit ka njoftuar se procesi i ankimimit ka nisur dje në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Dikasteri i shkencës ka vendosur të lërë afat 7 ditë për pranimin e ankesave të maturantëve. Kështu, çdo maturant që ka pakënaqësi për notën me të cilën është vlerësuar, ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e tezës. Ata që kërkojnë të verifikojë vlerësimin që u është bërë do të ketë mundësinë, që pasi të konstatojë parregullsi apo korrigjim jo korrekt, të paraqesë një kërkesë me shkrim, nëpërmjet së cilës të bëhet një rivlerësim. Sipas rregullores së Maturës Shtetërore, parashikohet që këto kërkesa të kalojnë në një proces të detajuar. Kjo nënkupton “filtrimin” e tyre në tri faza të caktuara. Së pari, ankesat me shkrim do të dërgohen në drejtoritë e shkollave të mesme, ku ata kanë studiuar.

Së dyti, ato do t’i dërgohen Drejtorisë Arsimore, ndërsa në përfundim do të dorëzohen në Agjencinë e Vlerësimit të Nxënësve. Kjo strukturë, pasi të ketë mbledhur të gjitha kërkesat që kanë dërguar nxënësit, do të krijojë një komision të posaçëm, i cili do t’u bëjë rivlerësim vetëm atyre tezave ku evidentohet që shqetësimi i maturantëve ka qenë i drejtë.

Ankimimi

“Nuk kam ende një numër të saktë të kërkesave që kanë bërë maturantët, që mendojnë se janë vlerësuar në mënyrë të padrejtë. Ajo që di me siguri është se ka pasur edhe nga ata maturantë që kanë përgatitur kërkesa me shkrim apo kanë këmbëngulur që të marrin fotokopjen e tezës për të parë se si është vlerësuar teza e tyre”, tha Fatmir Vejsiu, drejtori i arsimit parauniversitar. Sipas tij, shkak për këtë është mosbesimi apo dyshime që kanë disa maturantë në veçanti. Sipas Vejsiut, ankesat e tyre do të merren në konsideratë për të verifikuar se procesi i korrigjimit ka qenë transparent, por mbi të gjitha korrekt.

Ndryshe nga përvojat e kaluara, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka parashikuar që procesi i korrigjimit për këtë vit të hartohej sipas një formule plotësisht të re. Ajo parashikon vlerësimin e tezave në tri “faza” specifike. “Kjo ka qenë një arsye pse kemi vendosur që procesi i vlerësimit të zgjasë në kohë. Duam të jemi të kujdesshëm dhe korrekt në vlerësimin e gjithsecilit”, sqaroi Fatmir Vejsiu. Korrigjimi i dyfishtë apo edhe i trefishtë, në ato raste kur do të jetë i nevojshëm, kishte për qëllim vlerësimin e tezave, të cilët do të kalojnë në tri “duar”.

Korrigjimi

Fillimisht tezat janë korrigjuar nga një specialist i fushës, i cili ka bërë shënime te të gjitha përgjigjet e gabuara, pa pasur të drejtë për të vendosur notë. Më pas testi është rivlerësuar nga një tjetër profesor i kualifikuar, i cili pasi ka konstatuar që korrigjimet e para me të dytën rakordonin me njëra-tjetrën, ka vendosur notën e merituar. Ndërsa në rastet kur janë konstatuar mospërputhje mes dy korrigjuesve, teza ka kaluar në një vlerësim të tretë, “dora” e të cilit ka bërë vlerësimin final dhe përfundimtar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›