E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori, alarm për sigurinë

FIFA ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke bërë të ditur se takimi i luajtur në stadiumin “Makhulong” të Tembisas nuk ka asnjë lidhje me mënyrën si është organizuar aktiviteti në Afrikën e Jugut. Gjithsesi, problemet jashtë stadiumit shkaktuan të paktën 20 të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ngjarja është diskutuar gjerësisht në gazetat vendase, të cilat nënvizojnë se forcat e rendit do të përballen me një punë kolosale për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla gjatë botërorit.

Pas ndodhisë në miqësoren Nigeri-Kore e Veriut, numri 1 i FIFA-s, Sep Blater, tha me bindje se ndeshjet e evenimentit madhor do të jenë shumë të sigurta: “Problemet që ndodhën gjatë kësaj miqësoreje nuk do të përsëriten në asnjë prej ndeshjeve të botërorit. Këtë jua them me siguri”.

Ngjarja e së dielës riktheu në kujtesën e afrikanojugorëve makthin e vitit 2001, kur gjatë një ndeshjeje në “Elis Park” (stadium i Johanesburgut), ku do të zhvillohen disa ndeshje të botërorit, turma e shkaktuar nga tifozët pa bileta që kërkonin të futeshin në stadium, shkaktoi 43 të vdekur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›