Botërori i Notit në pishina 22-m, direkt në RTSH Sport

Kampionati Botëror i Notit në pishina të shkurtëra, pra 25-metërshe, i cili ka nisur në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, është një tjetër ekskluzivitet madhor sportiv i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar. Duhet theksuar se ky Kampionat Botëror, që mbahet për herë të parë në Abu Dhabi, do të zgjasë për plot 6 ditë dhe 998 sportistët që po marrin pjesën në të do të konkurrojnë në 44 stile dhe distanca të ndryshme, si në rrafshin individual, ashtu edhe atë ekipor.
Në fakt, kjo veprimtari po zhvillohet në Arenën Sportive “Etihad”, në gjirin e Jasit në kryeqytetin e vendit, një kompleks që mund të shfrytëzohet për një numër disiplinash sportive dhe evenimentesh kulturore, ndërsa për Botërorin e Notit mund të akomodojë plot 18,000 spektaktorë. Dhe në kanalin RTSH Sport kanë ardhur përgjatë orëve të pasdites, edhe garat e gjysmës së dytë të ditës së parë të kësaj veprimtarie, që kanë konsistuar në bateri gjysmëfinale dhe finale.
Në ditën e parë, nga 11 disiplina gjithsej, të cilat i kishin zhvilluar paradite bateritë eliminatore, 4 i zhvilluan pasdite gjysmëfinalet, ndërsa 7 të tjerat zhvilluan finalet, duke kurorëzuar edhe kampionët e rinj të botës në këto distanca dhe stile. Më konkretisht, janë zhvilluar gjysmëfinalet në 100 m shpinë për meshkuj dhe femra dhe 50 m bretkosë për femra dhe 100 m bretkosë për meshkuj.
Ndërkaq, janë zhvilluar finalet e 400 m dhe 200 m stili i lirë përkatësisht për meshkuj dhe femra, 200 metra flutur, 400 m dhe 200 m të përziera individuale për meshkuj dhe dy stafetave 4 x 100 m stil i lirë ekipor për femra dhe meshkuj.