E Enjte, 5 Nëntor 2026

Botërori i Notit, dy rekorde të reja

Kampionati i 15-të Botëror i Notit në pishina të mbyllura 25-metërshe, që është duke u zhvilluar në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe që po vjen drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ka mbyllur ditën e tij të dytë. Jo vetëm medalje ari, argjendi dhe bronzi, të shpërndara në tetë finalet e ditës së dytë, por dhe rekord bote i thyer, që vjen pikërisht në stafetën 4×50 metra e përzier për Femra. Suedia, që zë vendin e parë me 1’42”38 barazon rekordin botëror në këtë garë, i cili mbahej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që e kishte fiksuar më 12 dhjetor 2018. Pas nordikeve Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Holanda.

Për meshkuj në 100 metra shpinë bie në sy amerikani Shaine Kasas, i cili me 49”23 lë nga pas rusin Koleshnikov dhe rumunin Glinta, respektivisht 49”46 dhe 49”60. Një kineze në podiumin e medaljeve e kjo ndodh në 200 metra delfin, atje ku Jufei Zhang, me kohën 2’03”01, zë vendin e parë duke lënë nga pas amerikanen Sharlok Huk dhe boshnjaken Lana Pudar. Rekord i ri për kampionatin ka ardhur nga bjellorusi Ilia Shimanovish, që në 100 metra bretkosë zë vendin e parë me 55”70. Pas tij italiani Nikolo Martinengi 55”80 dhe amerikani Nik Fink 55”87. Befason Izraeli me vendin e parë të Anastasia Gorbenkos në 50 metra bretkosë me kohën 29”34.

Në vendin e dytë dhe të tretë italiania Benedeta Pilato 29”50 dhe suedezja Sofie Hanson 29”55. Koreja e Jugut do të shënonte emrin në listën e medaljeve të arta në këtë Botëror, teksa Sunhuo Huang, në 200 metra stil i lirë, me kohën 1’41”60 zë vendin e parë. E pas tij rusi Shegolev dhe lituanezi Danas Rapsis. 100 metra shpinë për femra ishte për suedezen Luize Hanson, që fitoi me kohën 55”20. Në vendin e dytë kanadezja Kajli Mas me kohën 55”22 dhe në vendin e tretë amerikania Katarin Berkof me kohën 55”40. Medalja e artë e fundit e ditës së dytë të Botërorit ishte për Kanadanë, që në 4×50 metra stil i lirë meshkuj dhe femra bashkë ka fiksuar kohën 1’28”55.

Pas kanadezëve, Holanda dhe Rusia. Ndërkohë në këtë Botëror është duke marrë pjesë dhe Shqipëria, atje ku Katia Rok në 200 metra stil i lirë zë vendin e 45-të mes 50 konkurrentëve me kohën 2’11”96, kurse Kledi Kadiu, në 100 metra bretkosë, zë vendin e 38-të mes 65 garuesve me kohën 1’01”34. Botërori i notit në pishina të mbyllura përfundon më 21 dhjetor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›