Botërori i Notit ul siparin me kohë të reja

Kampionati Botëror i Notit në pishina të mbyllura 25-metërshe ka ulur siparin e tij. Në ditën e gjashtë dhe të fundit në Abu Dabi janë zhvilluar dhjetë finale, atje ku është thyer një rekord bote, dy rekorde të kampionatit, si dhe një rekord Europe. Serinë e medaljeve e ka hapur skuadra amerikane, e cila ishte fituese në stafetën 4×50 metra stil i lirë për femra me kohën 1’34”22, teksa ka lënë nga pas Suedinë dhe Holandë. Dhe rekordi i botës është vendosur në 1500 metra, pikërisht nga gjermani Florian Uellbruk me kohën e re 14’06”88.
Në vendin e dytë tuniziani Afnaui dhe në të tretin ukrainasi Romanshuk. 100 metra stil i lirë për meshkuj do të ishte për italianin Alesandro Miresi me kohën 45”57, ndërsa nuk mundën ta ndalnin vrullin e notarit të kaltërt amerikani Held dhe kanadezi Eduards, që u renditën të dytët e të tretë. Amerikania Eskobedo me 2’17”85 do të ishte fituese në 200 metra bretkosë, ndërsa pas saj kanë ardhur rusja Shikunova dhe britanikja Renshau. Një medalje e artë për Poloninë në këtë botëror, atje ku Radoslav Kavecki do të fitonte në 200 metra shpinë me 1’48”68.
Kasas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Diener i Gjermanisë ndanë vendin e dytë dhe të tretë. 100 metra delfin për amerikanen Mekneil me kohën 55”04. Pas saj kanë ardhur suedezja Hanson dhe amerikania tjetër Kurzan. Nik Fink do të dominonte 50 metra bretkosë për meshkuj me kohën 25”53. Në vendin e dytë italiani Martinengi dhe në të tretin braziliani Zhunior. Suedezja Sjoerstroem do të ishte fituese në 50 metra stil i lirë për femra duke vendosur dhe rekord të ri kampionati me 23”08.
Një tjetër rekord kampionati do të vinte nga Italia në stafetën 4×100 metra stil i përzier për meshkuj me kohën 3’19”76, kurse Suedia për femra, në të njëjtën stafetë, do të vendoste rekord të ri europian me kohën 3’46”20. Sepse vetëm kështu mund të ishte e artë në këtë fund Botërori, që erdhi për të gjithë sportdashësit në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.