E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori, luhet edhe... në shtrat



736 futbollistë të niveleve të larta do të performojnë 64 ndeshjet e Kampionatit Botëror 2010, por në tribunat e stadiumeve të Afrikës së Jugut, tifoze speciale të bashkëshortëve apo të dashurve të tyre, do të jenë ajka e modeleve dhe vajzave të skenës. Është një marrëdhënie që funksionon prej kohësh dhe e pranishme deri në “ekstrem” dhe “ekstazë” në Kampionatin Botëror të Gjermanisë katër vjet më parë. I njëjti “shou” pritet të shfaqet edhe në kontinentin afrikan. Mediat e huaja, sidomos faqet e specializuar të gosipeve, kanë ndezur në maksimum motorin e lajmeve rozë, dhe në një ngjarje me përmasa botërore si Kupa e Botës, vëmendja është edhe më e madhe.
Kristiano Ronaldo, Kaka, Tieri Henri, Eshli Kol, Uejni Runi, Iker Kazijas, Lionel Mesi, Xhanluixhi Bufon, do të jenë në fushë kundër njëri-tjetrit dhe i njëjti rivalitet do të jetë edhe në tribuna, nga gratë dhe të dashurat e tyre. Shopinge të shtrenjta, fatura të jashtëzakonshme në klube nate, femra të dehura, por dhe ekstaza do të jenë të pranishme në 30 ditët e Kampionatit të 19-të Botëror.
Kristiano Ronaldo, i njohur si “latin lover”, ka pushtuar zemrën e një modeleje tjetër, Irina Shajk. “Flaka” e re kapitenit të Portugalisë është 24 vjeçarja ruse, e pranishme në shumë fushtata publicitare komerciale. Të dy janë parë së bashku në një jaht që ka kushtuar 60 mijë euro me qira në javë, e të ankoruar në brigjet e Korsikës.
Anglia e Kapelos, favoritja kryesore për fitimin e turneut është dhe favoritja kryesore për të fituar “kampionatin” midis femrave. Gazetarja e kolonës së modës e gazetës “Daily Mirror”, Aleks Kuran, nuk mund të kishte shije tjetër në të zgjedhur, përveç kapitenit të Liverpulit dhe futbollistit të Kombëtares angleze, Stivën Xherard. Kuran është po aq e famshme se dhe “Vag-sat e tjera, të tilla si Viktoria Bekham, Kolin Runi dhe Çeril Kol. Edhe pse Devid Bekham nuk ka asnjë mundësi të luajë në fushë, ai do të jetë përkrah Fabio Kapelos, si ndihmës i tij dhe do të ketë më shumë kohë për të qenë në publik në krah të së pangopurës Viktoria. Kolin Runi beson se ky Botëror është i Uejnit të saj. Sulmuesi i fuqishëm i Mançester Junaitid ishte në një superformë me “Djajtë e kuq” dhe me një Kolin më të bukur se kurrë në tribunë, i vetmi shpërblim i Uejnit për të janë golat në fushë, përpara se ata jenë sërish bashkë pas ndeshjes.
Ish-gruaja anglezit Eshli Kol, mbrojtësit të Çelsit, e vlerësuar edhe si një prej femrave më joshëse në botë, përsa u përket bashkëshorteve apo të dashurave të futbollistëve, mund ta ndjejë hidhur mungesën e saj.
Italia do të paraqitet sërish me bashkëshorten e portierit të Kombëtares dhe Juventusit, Xhanluixhi Bufon. Alena Seredova, ish-“Mis Çekia”, nuk e ka pasur aspak problem të pozojë nudo për revista e “pornos” së mirë, “Penthouse” dhe “Playboy”, dhe në të dyja rastet është shfaqur në kopertinë. Edhe pse më fëmijë, Alena e ruan freskinë. Mesfushori i fuqishëm i Romës, Daniele De Rosi, do të jetë i shoqëruar në distancë nga bashkëshortja e tij.
Francezët duket se e kanë harruar seks-skandalin e yllit të Bajernit të Munihut dhe të Kombëtares, Frenk Riberi, me prostitutën maroken, Zahia Dahar, për të cilën mesfushori arrogant paguante edhe 2 mijë euro për një seancë argëtimi.
Gjermania e kapitenit të ri, Filip Lahm, prezantohet me të dashurën e tij, Klaudia Shatenberg.
Holanda prezantohet përveçse me kampionin e Europës, Uesli Shanjderin, por dhe me të gruan e ardhshme të tij, modelen Yolanthe Kabau, një prej femrave më seksi të lidhura pas futbollistëve. Së fundi, Kabau “sfiloi” e veshur me bluzën e çiklistëve të “Xhiros së Italisë”, me disa poza vërtet joshëse. Yolanthe Cabau Van Kasbergen, aktorja dhe prezantuesja holandeze 25-vjeçare është mjaft e famshme në Itali dhe Spanjë, pasi lidhja me fantazistin Uesli Shnajder, ish-futbollist i Ajaksit të Amsterdamit dhe Realit të Madridit e ka vendosur bukuroshen gjithmonë në qendër të vëmendjes së medias, e veçanërisht të paparacëve. Edhe Silvi van der Vart, bashkëshortja e mesfushorit të Realit të Madridit, Rafael van der Vart, bën pjesë në tribunën “rozë”.

Botërori i qofteve dhe i birrës
Parashikohet të konsumohen nga 8-10 milionë shishe birrë

Kampionati Botëror i futbollit nuk luhet vetëm në fushën me bar, por dhe në atë komerciale, madje kjo e fundit shihet si një biznes mjaft fitimprurës, teksa në Afrikën e Jugut për të parë të gjitha ndeshjet priten të jenë të pranishëm qindra mijëra tifozëve vendas dhe të ardhur. Organizatorët afrikanojugurë të kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik vlerësojnë se do të ketë një kërkesë për rreth 40 mijë-50 mijë hektolitra birrë gjatë muajit të Kupës së Botës, që është e barazvlefshme me 8-10 milionë shishe birrë. Edhe kafja do të ketë një vend të rëndësishëm gjatë evenimentit: 5 ton sheqer dhe 6 mijë litra qumësht do të jenë në dispozicion, ndërkohë që priten të konsumohen 300 mijë filxhanë kafe. Çdo mëngjes do të prodhohen rreth 150 mijë bukë dhe simite, ndërkohë që shefat e kuzhinës do të përgatisin suxhukë vjenezë, hamburger e ushqimet të tjera tradicionale e ndërkombëtare, përfshirë gatime e shumëllojshme me mish.

Topi, ...molla e sherrit

Topi “Jabulani” i prodhuar nga Adidas, po shndërrohet në një mollë sherri midis portierëve, trajnerëve dhe zyrtarëve të FIFA-s. Trajneri i Brazilit mbrojti lojtarët e tij duke shfaqur pakënaqësinë në lidhje me topin që do të përdoret në Kupën e Botës, por sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zherome Valke, kritikoi ashpër Dungën. Valke tha para disa ditës se brazilianët po e përdorin çështjen e topit për të justifikuar vetën në rast dështimi në Botëror, por Dunga iu kundërpërgjigj se “Valke është një njeri që s’ka goditur një top me këmbë”. “Ai ka nevojë të luajë”, - tha Dunga. “Nëse ai do të luante me topin do të kishte një tjetër opinion”. Portieri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Markus Hahneman, nuk është një tifoz i topit të ri Adidas, që do të përdoret në Kupën e Botës. “Teknologjia nuk është gjithçka”, - tha gardiani amerikan. “Shkencëtarët shpikën bombën atomike, por kjo nuk do të thotë se ne do ta shpikim atë”. Adidas tha se “Jabulani”, modeli i 11-të në Kupën e Botës, do të “udhëtojë” më shpejt, për shkak të tetë paneleve të tij dhe rrumbullakësisë perfekte. Gjithsesi, portierët janë ankuar shpesh për topin para çdo kampionati.

Kuriozitete nga botërorët

Asnjë si Brazili dhe Italia

Brazili dhe Italia janë dy kombëtaret e vetme që dy herë me radhë e kanë fituar titullin e kampionit botëror. Brazilianët këtë sukses e arritën më 1958 në Suedi dhe më 1962 në Kili, ndërsa italianët u fituan Kupën e Botës në botërorin e vitit 1934 në Itali dhe më 1938 në Francë.

Tri herë radhazi në finale e botërorit

Futbollistët e Brazilit dhe ata të Gjermanisë janë të vetmit që tri herë me radhë kanë luajtur në finale të Kupës Botërore. “Kareokët” ishin finalistë më 1994 (kampionë), më 1998 (nënkampionë) dhe më 2002 (kampionë), ndërsa “pancerat” më 1982 (nënkampionë), më 1986 (nënkampionë) dhe më 1990 (kampionë).

Gjermanët, ata që besojnë deri në fund

Në finalet e deritashme të Kupës së Botës vetëm Gjermania ka arritur ta përmbysë epërsinë e rivalit prej dy golave dhe në fund të kurorëzohet Kampione e Botës. Këtë sukses gjermanët e arritën në vitin në vitin 1954 ndaj Hungarisë, kur ishin duke humbur 0-2 dhe në fund fituan me rezultat 3-2.

Kur fati të kthen krahët

Kombëtarja e Holandës në botërorin e viteve 1974 dhe 1978, përfaqësuesja e Çekosllovakisë në botërorin e viteve 1934 dhe 1962 si dhe Hungaria në Kupën e Botës më 1938 dhe 1954 u renditën deri në finale, por asnjëra prej tyre nuk e fitoi asnjëherë titullin e kampionit botëror.

Të fitosh si trajner dhe si futbollist

Zagallo dhe Bekenbauer janë të vetmit që titullin e kanë fituar si futbollist, edhe si trajner. Zagallo fitoi në vitin 1958 në Suedi, ndërsa 12 vjet më vonë, në Meksikë e udhëhoqi Brazilin drejt titullit të tretë. Bekenbauer si futbollist triumfoi në vitin 1974 në Gjermani, ndërsa si trajner në vitin 1990 në Itali.

Në finale dy herë radhazi

Në historinë e Kupës së Botës vetëm një herë ka ndodhur që dy skuadra kombëtare janë takuar në finale dy herë me radhë. Kjo ka ndodhur në botërorin “Meksika 86” dhe “Italia 90”. Gjermania dhe Argjentina u takuan në Meksikë më 1986 (3-2 për Argjentinën), ndërsa më 1990 në Itali, gjermanët fituan me rezultat 1–0.

Brazili kundër traditës evropiane

Përveç Kupës së Botës të zhvilluar në Kore dhe Japoni, të gjithë botërorët tjerë janë zhvilluar në Evropë dhe Amerikë. Vetëm Brazili e ka thyer njëherë traditën, duke fituar në Suedi më 1958, sepse në të gjitha rastet tjera kanë fituar kombëtaret e kontinentit ku edhe është mbajtur botërori.

4 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›