E Diel, 1 Nëntor 2026

“Eagle Mobile” mbyll fushatën kombëtare “Një me natyrën”



Fushata kombëtare “Një me natyrën”, e iniciuar nga “Eagle Mobile” dhe e mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Mjedisit, është përmbyllur dje në qytetin e Kamzës. Drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, së bashku me 250 nxënës të shkollës së mesme “Ibrahim Rugova”, kanë marrë pjesë në aksionin e pastrimit të rrugëve të Kamzës. Aksioni ka nisur nga shkolla e mesme “Ibrahim Rugova” dhe më pas është shtrirë edhe në zona të tjera të qytetit. Drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin, tha se “Për Eagle Mobile, viti 2010 është viti i mjedisit dhe ne jemi shumë të gëzuar që ndërmarrim projekte të tilla”. Pavarësisht se bashkëpunimi me dy ministritë u mbyll me aktivitetin e Kamzës, “Eagle Mobile” do të vazhdojë fushatën ditën e shtunë në Pogradec, ku stafi i kësaj kompanie do të japë kontributin e vet personal në pastrimin e mjedisit. “Eagle Mobile” e ka shpallur vitin 2010 “Viti i mjedisit” dhe krahas kësaj, janë ndërmarrë projekte të ndryshme si mbjellje pemësh në ambientet publike, restaurim parqesh, krijimi i parqe të lojërave për fëmijë dhe fushata sensibilizimi.

4 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›