E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajnerët, diktatorë dhe tekanjozë



Trajneri i Koresë së Veriut, Kim Jon-hun, i ka ndaluar skuadrës praktikisht gjithçka; Fabio Kapelo i Anglisë konfirmoi famën e tij si një njeri i “ashpër”; Dunga i Brazilit nuk bën shaka; Vinsente Del Boske i Spanjës e ngre jo rrallë zërin; Maradona imponohet me stilin e tij, gjeni dhe arrogant, ndërsa Marçelo Lipi i Italisë ka zgjedhur një profil më të ulët. Kohë të vështira për lojtarët “botërorë”, të cilët po përgatiten të zbresin në midis rregullave dhe diktatin e trajnerëve të tyre.
Disiplinë të hekurt për të arritur përqendrimin maksimal, pro ka dhe nga ata që kanë fobitë e tyre. “Ndalohet Facebook! Jemi anglezë”, - ky është pak a shumë sllogani i Anglisë. Kapelo, i cili tërbohet nëse ndonjë nga ‘djemtë e tij’ paraqitet në tavolinë me celular, ka ndaluar përdorimin e rrjetit social më të famshëm në botë. Por, Uejni Runi dhe Stiven Xherard kanë veshët gati. “Don Fabio”, megjithatë u ka ndaluar “Ëags”-ave (grave dhe të dashurave të futbollistëve) të jenë të pranishëm në qendrën e grumbullimit të Kombëtares. Trajneri i “tre luanëve” ua ka bërë të ditur futbollistëve se mund të takojnë familjarët e tyre vetëm një ditë pas ndeshjeve.
Por, trajneri i kampiones së Botës, Italisë, Marçelo Lipi, duket se është pak më liberal, duke u dhënë lojtarëve pak liri më shumë. Edhe Del Boske i ka thënë “Jo” rrjetëve “djallëzorë” sociale. Timonieri i Spanjës ka vendosur të blindojë skuadrën nga çdo kontakt me tifozët dhe shtypin, për shkak të privacisë dhe përqendrimit.
Kohë të ashpra edhe për brazilianët, të cilët mund të navigojnë “on line”, - Kaka do ta tregojë botërorin e tij në rrjetin social “Twitter” -, por që nga ana tjetër duhet të respektojnë rigorozisht recetat e vendosura nga Dunga: darka në orën 19:00, në shtrat në orën 23:00, aspak seks dhe asnjë kontakt me botën jashtë.
Diego Maradona ua ka lehtësuar jetën lojtarëve të tij “bardhëkaltër’, trajneri i Argjentinës ndjek një stil të vetin, shumë “revolucionar”, teksa ka futur në “dekalogun” e tij edhe seksin (por me përjashtimin, që ky të mos bëhet në orët e progrmuara për çlodhje), e midis të tjerave në menunë e lojtarëve ka dhe verë të cilësisë së lartë.
Maradona duket si më tekanjozi në kërkesat e tij, pasi ish-“Pibe de Oro” (Këpuca e artë) ka kërkuar në kuartierin e përgjithshëm të Argjentinës në Pretoria edhe bide elektronike dhe me ujë të rregullueshëm me tri shpejtësi. Për lojtarët edhe 6 “play station”.
Argjentina mund të shndërrohet në një skuadër “sex symbol” gjatë Kampionatit Botëror. Pas deklarimit të trajnerit të Argjentinës, Diego Armando Maradona, se ai do të vraponte lakuriq në rrugët e Buenos Aires nëse ekipi i tij do të fitonte trofeun, tani vjen edhe aprovimi nga stafi “celeste”, se lojtarët mund të bëjnë seks me gratë dhe të dashurat e tyre gjatë kompeticionit.
Doktor Donato Vallani: “Lojtarët nuk janë marsianë”. Gjithsesi, edhe një paralajmërim: Lojtarët nuk duhet të kalojnë orën 2 të mëngjesit, pasi të kenë bërë seks në shoqërinë e shampanjës.
Vetë trajneri i Argjentinës, Diego Armando Maradona, bëri një premtim të çmendur gjatë një interviste për raduon “Metro”. “Nëse ne do të fitojmë Kupën e Botës, unë do të vrapoj lakuriq përreth ‘El Obelisko’ në qendër të Buenos Aires”, - tha Maradona gjatë transmetimit direkt. Media argjentinase u shpreh e sigurt, se Maradona do ta mbajë premtimin, pasi më parë ai kishte pozuar nudo për revistën “El Grafico”.
Meksika për të pasur sa më shumë fat në Botëror ka marrë me vete edhe një prift ku të rrëfehen lojtarët. Sllovakët, për të hequr mbistresin e pjesëmarrjes së parë në Botëror, kanë preferuar të relaksohen me lojërat me shigjeta dhe pingpong.
Koreja e Veriut është thuajse në një regjim ushtarak edhe pse përgatitet për një betejë futbollistike. Vendi më i mbyllur në botë ka vendosur një mur të pakalueshëm rreth lojtarëve të tij për mediat e huaja: asnjë foto dhe asnjë intervistë. Të shoqëruar nga policia, koreanoveriorët shkojnë në stërvitje në heshtje, kokulur dhe vështrim të ngulur në tokë.

9 ndeshjet e para; Kuzhe, më i miri
Kuzhe ka arritur 4 fitore; Briegel, 3 fitore; Bariç, 2 fitore dh e Han, 2 fitore

Trajneri Josip Kuzhe është më i suksesshmi në raport me tre paraardhësit e tij të huaj: gjermanin Hans Peter Briegel, kroatin Oto Bariç dhe holandezin Ari Han, duke marrë në konsideratë ecurinë e vetëm në nëntë ndeshjet e para (zyrtare dhe miqësore). Kuzhe ka arritur 4 fitore; Briegel, 3 fitore; Bariç, 2 fitore dh e Han, 2 fitore.

BRIEGEL – Gjermani, i cili pasoi italianin Dosena, pas braktisjes së këtij të fundit (vetëm dy ndeshje zyrtare, 1 miqësore me Kosovën), e nisi me një fitore 5-0 me Vietnamin (12.02.2003, në Norcia). Ndeshja e tij e nëntë ishte fitorja 3-1 me Gjeorgjinë (10.09.2003) për eliminatoret e Kampionatit Europian 2004. Bilanci i Briegel: 9 ndeshje; 3 fitore, 1 barazim, 5 humbje (golat: 14-15).

BARIÇ – “Plakushi” kroat e nisi me fitoren 3-0 në miqësoren në San Marino, ndërkohë që edhe ndeshja e tij e nëntë është një fitore 2-0 kundër një tjetër ekipi modest, 2-0 kundër Luksemburgut (02.06.2007), eliminatoret e Kampionatit Europian 2008. Bilanci i Bariç: 9 ndeshje; 2 fitore, 3 barazim, 4 humbje (golat: 9-10).

HAN – Holandezi hermetik e nisi aventurën e tij me Shqipërinë me humbjen 1-0 me Poloninë në Reutlingen të Gjermanisë (27.05.2008). Ndeshja e tij e nëntë është sërish një humbje, ajo me Hungarinë, 0-1 në Shqipëri (28.03.2009) për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010. Bilanci i Han: 9 ndeshje; 2 fitore, 4 barazim, 3 humbje (golat: 6-5).

KUZHE- Trajneri aktual i Shqipërisë, Josip Kuzhe, e nisi ndeshjen e parë pas vetëm 7 ditësh në krye të Kombëtares, me një humbje 2-1 me Portugalinë (06.06.2009) për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010. Ndeshja e tij e nëntë është fitorja 1-0 kundër Andorrës (02.06.2010). Bilanci i Han: 9 ndeshje; 4 fitore, 3 barazim, 2 humbje (golat: 6-5).

Golat në sezon, Salihi, më i mirë... se Ronaldinjo

Sulmuesi shqiptar Rapidit renditet i 72-ti në Europë, Dino i 85-ti

Hamdi Salihi, autori i golave në fitoret 1-0 të Shqipërisë në miqësoret kundër Malit të Zi dhe në Andorrës, renditet i 72-ti në Europë përsa u përket golave të shënuar në kampionatet futbollistike të sezonit 2009-2010. Sulmuesi 26-vjeçar i Rapidit të Vjenës shënoi 17 gola në kampionatin austriak, i barazvlefshëm me 22.5 pikë, koeficienti i Austrisë është 1.5. Golashënuesi më i mirë te Rapidi ishte Nikica Jelaviç me 18 gola. “Këpuca e artë” e Europës është sulmuesi i Barcelonës, Lionel Mesi, i cili me 34 golat e tij në kampionatin spanjoll ka 68 pikë (koeficienti 2.0).
Didier Drogba i Çelsit (29 gola/58 pikë) dhe Antonio Di Natale i Udinezes (29 gola/58 pikë) janë në vendin e dytë.
Lojtari me më shumë gola në Europë, sezonin e kaluar ishte sulmuesi i Ajaksit të Holandës, 35 gola, kor koeficienti i kampionatit holandez është 1.5 dhe pikët e fituara nga Suarez janë 52.5. Albert Bunjaku i Nurembergut me 12 golat e tij në Bundesligë renditet në vendin e 85-të, me 24 pikë. Interesant është një fakt: Salihi ka lënë pas emra të tillë si Samuel Eto’o i Interit (12 gola/24 pikë), Ronaldinjon e Milanit (12/24) dhe Aleksandër Pato (12/24). Në listën e 150 më të mirëve në Europë nuk është përfshirë Daniel Xhafaj, fituesi i “Këpucës së artë” në Shqipëri. Sulmuesi i Besës shënoi 18 gola, por koeficienti i kampionatit shqiptar është vetëm 1 pikë.

TRE TË PARËT
1 Lionel Messi Barcelona 34 gola 68 pikë
2 Didier Drogba Chelsea 29 gola 58 pikë
3 Antonio Di Natale Udineze 29 gola 58 pikë
- - - -
85 Ronaldino Milan 12 gola 24 pikë

SHQIPTARËT
72 Hamdi Salihi Rapid Vien 17 gola 25.5 pikë
85 Albert Bunjaku Nurnberg 12 gola 24 pikë

Benitez: “Lamtumirë Liverpul, po vij Inter!

Rafa Benitez i dha lamtumirën Liverpulit pas gjashtë vjetësh bashkëpunim. Klubi anglez në deklaratën e tij tha se Benitez u largua pas një mirëkuptimi reciprok. “Është shumë e hidhur për mua të lajmëroj se unë nuk do të jem më trajneri i Liverpulit”, - tha 50-vjeçari. “Dëshiroj të falënderoj të gjithë stafin dhe lojtarët për përpjekjet e tyre. Ju kurrë nuk do të jeni vetëm”. Benitez mbërriti te Liverpuli në vitin 2004 pasi udhëhoqi Valencian në fitimin e dy titujve kampionë dhe fitimin e Kupës UEFA. Ai udhëhoqi Liverpulin në fitimin e Ligës së Kampioneve në vitin 2007, kur pasi humbiste pjesën e parë 3-0 ndaj Milanit, arriti të triumfojë me penallti. Pasi humbi Hoze Murinjon, tashmë të larguar te Reali i Madridit, kampioni i ri i Europës, Interi, është në kërkim të një trajneri të ri. Me Fabio Kapelon, i cili bëri të ditur se kishte nënshkruar me Anglinë deri në vitin 2012, Benitez duket se është objektivi i Interit.

4 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›