Projekti, shërbimet individuale farmaceutike do të kryhen në internet
Jonida Tashi
Shërbimet individuale farmaceutike do të kryhen së shpejti nëpërmjet internetit. Ky është projekti më i fundit, “Farmacitë online”, që ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, Genc Pollo, ka prezantuar dje në Komisionin Kuvendor të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, ku kanë qenë të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH). Duke pasur parasysh shqetësimin e ISKSH-së dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, që mënyra e regjistrimit të barnave, e blerjeve së tyre, që janë të mbuluara në regjistra që shkruhen dorazi dhe që raportojnë me një efikasitet jo të mjaftueshëm, sjellin probleme në ndjekjen e shpenzimeve reale që kanë farmacitë dhe të shpenzimeve të rimbursueshme sipas ligjit dhe politikave që ka qeveria, nevojitet dixhitalizimi i sistemit farmaceutik. Për këtë arsye, prej kohësh ka filluar një përpjekje për të lidhur online farmacitë. “Hapi i parë do të jenë farmacitë që janë në zonat e arritshme; po i ndaj në zonat më të largëta, ku kostoja e internetit është më e shtrenjtë dhe krijimi i regjistrave, i procedurave dhe protokolleve të veçanta, në mënyrë që çdo blerje, e cila implikon rimbursim nga fondet e ISKSH-së, të jetë e regjistrueshme dhe e verifikueshme në çdo moment”, - ka shpjeguar ministri Pollo.
Projekti
Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, Genc Pollo, ka shpjeguar para anëtarëve të Komisionit Kuvendor të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë se si do të funksionojë projekti “Farmacitë dixhitale”. “Çdo përfitues i shërbimit shëndetësor është parimisht një shtetas i Republikës së Shqipërisë me identitetin e vet. Tashmë ne kemi databazën kryesore të shtetit, Regjistrin Kombëtar Civil dhe që ISKSH-ja të jetë e saktë në përcaktimin e shtetasit, me të dhënat e veta, gjeneralitetet dhe adresën, kjo, në një hap të dytë, do të duhet të nxirret e të krijojë ndërfaqet e veta. Ky është një veprim konkret që ka nevojë për koordinim dhe këtu Ministria ndërhyn për të bërë lidhjen”, - është shprehur Pollo. Sipas tij, ky është një rast që haset me të gjitha institucionet që japin shërbime të tilla. Ndër institucionet që ofrojnë shërbime online, Pollo ka përmendur Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, Qendrën Kombëtare të Licencimit, Drejtorinë e Tatimeve, të Doganave, si dhe institucione të tjera që japin shërbime dhe që kryejnë detyrimet e tyre ligjore. Sipas argumentimit të ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, në qoftë se sot nuk do të kishim të dhënat individuale të certifikuara, që sot në mënyrë të ligjshme dhe praktike i ka vetëm Regjistri Kombëtar Civil, praktikisht detyrat nuk realizohen.
Shërbimet
Të dhënat e përftuara nga projekti “Farmacitë online” do të ndihmojnë institucionet përgjegjëse për të minimizuar abuzimet, por edhe për të orientuar qeverinë për një mirëshpenzim të parasë publike. “Të gjithë e dimë që në të shkuarën, në mungesë të shërbimeve të tilla, sistemi i paqartë dhe i vonueshëm në paraqitjen e tij, edhe i manipulueshëm deri diku, ka sjellë që; e para, shtetasit të mos përfitojnë në sasinë e kohën e duhur rimbursimin që parashikonte politika shtetërore dhe, si pasojë imediate e kësaj, që fondi i buxhetit, i parashikuar për këtë qëllim, nuk përdorej në mënyrën më të mirë”, - ka vijuar Pollo. Sipas tij, me kalimin në lidhjen online të farmacive, me protokollet, procedurat përkatëse, do të arrihen edhe shërbime të tjera, rimbursime në kohë dhe përdorim të mirë, efikas, të rregullave në fuqi për këtë çështje.
Gjatë mbledhjes së Komisionit Kuvendor të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, ministri Pollo tha se projekti “Shqipëria dixhitale” synon të mbulojë të tërë sektorët, të bindur në përvojën e viteve të mëparshme, por edhe në përvojën më të fundit botërore, që informatizimi dhe dixhitalizimi i shërbimeve sjell avantazhe jashtëzakonisht të mëdha për publikun, për personat, për qeverinë, në kuptimin e shërbimeve të shpejta, efikase, duke kursyer kohë dhe para publike, duke u bërë më transparente dhe duke fituar e rritur besimin e publikut tek institucionet shtetërore. Në fund, ministri Pollo shprehu besimin se ky projekt do të jetë një sistem, i cili do të rrisë efikasitetin e politikave sociale, në këtë rast të kujdesit shëndetësor, do të rrisë korrektesën e shërbimit nga ana e farmacive që do të futen në këtë rrjet dhe, për realizimin e tij, përgjegjësia dhe buxheti janë të ISKSH-së.
Ricertifikimi i farmacistëve
Urdhri i Farmacistit do të nisë të hënën aktivitetet për edukimin në vazhdim
Nisin të hënën aktivitetet e edukimit në vazhdim për farmacistët në mbarë vendin, falë të cilave do të sigurohen kreditet për ricertifikimin e tyre. Urdhri i Farmacistit ka bërë të ditur se të hënën, datë 07.06.2010, në orën 13:45, pranë Departamentit të Farmacisë, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Tiranës, fillojnë aktivitetet e edukimit në vazhdim për farmacistë, të organizuar nga Urdhri i Farmacistit Shqiptar dhe Departamenti i Farmacisë. Aktivitetin e parë do ta drejtojë Prof. As. Vilma Papajani (Toska). Këto aktivitete do të jenë të përditshme për tërë muajin qershor. Çdo aktivitet do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Ndjekja e dy aktiviteteve do të garantojë numrin e krediteve minimale për vitin 2010, ndjekja e katër aktiviteteve do të garantojë kreditet e këshilluara. Për regjistrimin në çdo aktivitet kuota është 500 lekë. Edukimin në vazhdim është një detyrim i farmacistit që buron jo vetëm nga Kodi Deontologjik, por dhe nga legjislacioni për sa i përket kujdesit shëndetësor, ku parashikohen sanksione për ata profesionistë të shëndetësisë që nuk e respektojnë këtë detyrim. Për të respektuar kriteret e programit të ricertifikimit, Urdhri i Farmacistit u këshillon farmacistëve të marrin pjesë të paktën në dy seminare (4 orësh) për të përfituar minimalisht 8 kredite formuese për vitin e parë të programit të ricertifikimit. Aktivitetet e edukimit në vazhdim për farmacistët duhet te fokusohen në tema si farmacia e aplikuar dhe e orientuar drejt pacientit, menaxhimi i riskut, etika farmaceutike, shkencat e komunikimit, shëndeti publik, ekonomi shëndetësore, farmacia klinike, njohuri mbi pajisjet mjekësore, sëmundjet e reja, biologjinë qelizore. Në bazë të legjislacionit shqiptar farmacisti është një profesionist i shëndetësisë që ushtron një profesion të rregulluar. Si rrjedhojë, për të ushtruar profesionin e farmacistit duhet të kesh përfunduar një program të akredituar studimi. Në bazë të ligjit “Për profesionet e rregulluara”, personi që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit, dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në rastin e farmacistit, kursi i kualifikimit është një cikël unik të paktën 5-vjeçar. Edhe studentët që mbarojnë në vitin 2010, përveç praktikës profesionale, duhet të kryejnë dhe provimin e shtetit, kalimi i të cilit u jep të drejtën të regjistrohen në një urdhër profesional. Vetëm në këtë moment ata kanë drejtën që të ushtrojnë profesionin e farmacistit.
4 Qershor 2010