E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi i divorcit mes Inva Mulës dhe Pirro Çakos, drejt fundit



Laureta Rryçi
Procesi i divorcit mes Inva Mulës dhe Pirro Çakos është drejt fundit. Bashkë me ndarjen, njërit prej tyre do t’i duhet të heqë dorë dhe nga bashkëjetesa me të birin, Anthony. Këtë fakt e tregon edhe administrimi i provës së fundit të regjistruar në dosjen e gjykimit në seancën e djeshme gjyqësore. Sipas gjyqtares së çështjes, psikologia e djalit lexoi raportin psikologjik të djalit të çiftit të divorcuar. Ky raport ishte përgatitur nga psikologia për një periudhë gati tremujore. Ndërkohë që të njëjtat burime bëjnë të ditur se psikologia ka qëndruar me djalin disa javë dhe ka mësuar prej tij shumë gjëra. Të gjitha konkluzionet mbi gjendjen emocionale të fëmijës janë hedhur në një raport përfundimtar, i cili u lexua dje në gjykatë.
Raporti
Vetë gjyqtarja u shpreh se hollësitë mbi raportin dhe gjendjen psikologjike të djalit nuk mund të bëhen publike për aq kohë sa ato janë private dhe shkelin të drejtat dhe liritë e të miturve. Ky raport i detajuar u lexua në prani të palëve. Nga ana tjetër mësuam se para gjykatës janë dhënë detaje që kanë lidhje edhe me gjendjen ekonomike të prindërve të djalit. Vendimi i gjyqtares pritet të jepet seancën e ardhshme, që është lënë disa ditë më vonë. Vetëm një seancë më parë, djali i çiftit të njohur u paraqit në gjykatë për të thënë dëshirën e tij se me kë dëshironte të jetonte kur prindërit të divorcoheshin. Djali zgjodhi të jetonte me të ëmën, duke hequr dorë kështu edhe zyrtarisht të ndante të njëjtën çati me të atin. Djali në të vërtetë kishte vite që nuk jetonte me të atin. Kantautori jeton në Tiranë, larg familjes së tij prej kohësh, ndërsa i biri vazhdon studimet në Paris.
Divorci
Pirro Çako dhe Inva Mula, edhe pse jo zyrtarisht, figurojnë të ndarë që prej dhjetorit të vitit 2008. në këtë periudhë, kantautori Pirro Çako, në rrethana të paqarta, la shtëpinë në Francë për t’iu rikthyer jetës së kryeqytetit. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i sopranos Inva Mula. Ajo i dha të drejtë bashkëshortit të bënte jetën e tij, duke u shprehur se ai është larguar nga banesa pas një tjetër lidhjeje dashurie. Para gjykatës djali u shpreh se kishte dëshirë të jetonte me nënën e tij në Francë. Por të drejtën për ta mbajtur në shtëpi e ka edhe babai, Pirro Çako. Për këtë qëllim gjykata ka urdhëruar psikologet të shkojnë në shtëpinë e kantautorit dhe të shohin kushtet nëse janë apo jo të përshtatshme për mbajtjen e fëmijës. Tanimë që u lexua dhe raporti i psikologeve, do të jetë gjykata që do të thotë fjalën e fundit.

4 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›