Botimet e 55-s priten me entuziazëm nga lexuesi korçar

Shtëpia botuese “55”, njëra nga entet më të njohura botuese në vend, në bashkëpunim me Drejtorinë rajonale të Arsimit, ka çelur në Korçë të parin panair personal, duke themeluar një traditë të rëndësishme, të cilën do ta përcjellë edhe në qytete të tjera të vendit. Balliu: Ka ardhur koha t’i kthehemi librit, si shtyllë e kulturës kombëtare. Andrea Mano: Panairi i 55-s, një nderim për qytetin e Korçës Shtëpia botuese “55” ka hapur dje në ambientet e biblotekës “Thimi Mitko”, në qytetin e Korçës një panair libri. Aktiviteti, i cili synon të kthehet në një traditë për Shtëpinë Botuese “55”, për t’u vijuar më pas në qytete të tjera të vendit, është realizuar nën mbështetjen e Drejtorisë rajonale të Arsimit. Personazhe të njohur të jetës kulturore të qytetit, studentë, si dhe qindra qytetarë e vizituan që ditën e parë këtë panair. Panairi do të qëndrojë i çelur për dy ditë, ku lexuesit korçarë kanë mundësi të njihen me më shumë se 100 tituj librash të Shtëpisë botuese “55”. “Eshtë koha kur njerëzit duhet t’i kthehen librit”, është shprehur presidenti i shtëpisë botuese “55” Fahri Balliu në fjalën e hapjes. "Çelim për herë të parë si shtëpi botuese këtë panair libri në qytetin e Korçës për t'u dhënë lexuesve mesazhin që t'i rikthehen librit, t'i rikthehen shpirtit të njeriut dhe historisë", tha publicisti Balliu. Duke e krahasuar Korçën me një Paris të vogël, për kulturën e madhe që mbart, Balliu u ndal në botimet më të spikatura të shtëpisë botuese “55”, duke veçuar kujtimet e “At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”. Ndërsa drejtori i Drejtorisë Rajonale të Prefekturës së Korçës, Andrea Mano, u shpreh në përshëndetjen e tij, ndër të tjera se “Shtëpia botuese ‘55’ është një ndër më seriozet në tregun e librit, ndaj edhe ardhja e saj me një panair të veçantë në Korçë është një vlerësim për qytetin”. Ai ka ftuar të pranishmit të ndalen gjatë në librat që ndodheshin në stendën e panairit, duke thënë se ato përfaqësojnë vlera për kulturën tonë. Në këtë ceremoni presidenti i shtëpisë botuese “55” u ka dhuruar libra të çmuara të gjitha shkollave të mesme të qytetit të Korçës, ndërkohë që një dhuratë e veçantë ka qenë pakoja e librave, dhuratë për Shoqatën e Ish-të përndjekurve politikë. Ylber Merdani, përfaqësues i kësaj shoqate, theksoi ndër të tjera në përshëndetjen e tij se “ky aktivitet i jep më shumë gjallëri jetës kulturore të qytetit”, pasi sipas tij në stendën e “55” ka një fond dinjitoz librash”. Më shumë se dhjetë vjet në tregun e librit shtëpia botuese “55” numëron sot mbi 100 tituj librash. Në morinë e këtyre titujve spikasin librat historikë, duke e bërë këtë shtëpi botuese si promotoren e sjelljes para lexuesve të të vërtetave historike që për vite me radhë kanë munguar ose kanë qënë të shtrembëruara. Kështu në stendën e “55” mund të gjesh librat më të mirë të autorëve më të vlerësuar në botë, të cilët sjellin pikëpamjet e tyre mbi historinë, komunizmin, apo demokracinë. Në fondin e botimeve “55” gjen veprën “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” të Fahri Balliut, një epikrizë e diktaturës hoxhiste, best-seller që ka njohur deri më tani përkthime në anglisht, frëngjisht e maqedonist, janë edhe dy romanet e njohura të shkrimtarit të madh Ismail Kadare “Pasardhësi” dhe “Vajza e Agamemnonit”. Pjesë e kolanës “55” është dhe kolana “Intelligenda” drejtuar nga përkthyesi dhe studiuesi i njohur Aurel Plasari. Nën siglën e shtëpisë botuese “55” janë librat e autorëve më të spiktatur të të gjitha kohërave që synojnë të na rrëfejnë atë që librat kanë bërë gjithnjë të vërtetën. Libra si “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, “Spastrimi etnik”, “Truri i Bushit”, vepra “Mehmet pushtuesi: botësulmuesi në kapërcyell kohe” i historianit Franc Babinger, “Shqipëria një dhe një mijë” e publicistit të famshëm italian Indro Montaneli, “Zogu i shqiptarëve: një histori e jetuar”, “Fushata e Durrësit ndërmjet Çezarit dhe Pompeit”, etj. Panairi i hapur dje në qytetin e Korccës, është stacioni i parë i një sërë panairesh që kjo shtëpi botuese synon të realizojë në qytete të ndryshme të vëndit, për ta çuar librin gjithnjë e më pranë lexuesit. ...