Forca e Vizionit te FDE-së
U bë gati një vit që marr rregullisht informacione mbi aktivitetet e Forumit për Demokraci dhe Etikë, përmës SMS-ve, email-eve, madje edhe në facebook. Grumbullimet e tyre - pothuajse të përjavshme - fokusohen në çështjet sociale, ekonomike, politikës së brendshme dhe të jashtme, çështje shqiptare dhe globale. Kjo nuk është dicka e re, pasi janë një numër i pafund ambjentesh shqiptare ku këto tema diskutohen e stërdiskutohen. Është e rrallë, por jo e re, përpjekja që këto forume bëjnë për të përmbushur motivet që i shtyjnë të plotësojnë një sërë formularësh dhe të regjistrohen si organizata jo fitimprurëse në gjykata. Nuk gjej ndonjë të re as në faktin që sallat ku është FDE pushtohen nga të rinj. Pa u zgjatur, ndryshimi nga rastet e rralla dhe të shpeshta, vjen tek vizioni i FDE-së, si një vektor i etikës dhe demokracisë në shoqërinë shqiptare. Të rinjtë, shumica e të cilëve ende nuk kanë gjetur afinitetet e tyre në spektrin politik, kanë gjetur tek FDE një netëork ku mund të ushqejnë mençurisht dituritë, njohjen, kuptimin dhe reflektimin mbi realitetet, si edhe të shkëmbejnë me përfitim afatgjatë dëshirat, mendimet, idetë, pikëpamjet dhe projektet. Pavarësisht se nuk janë drejtpërdrejt të përfaqësuar në politikë, apo vendimmarrje, forumi ka mundur të realizojë një dimension shumë të rëndësishëm qytetar, sikurse është pjesëmarrja aktive e të rinjve në politikë. Platforma e diskutimeve të forumit, ku të rinjtë kanë mundësi të përballen me opinione dhe argumente të ndryshme të aktorëve kryesorë të politikës shqiptare është një progres që nuk kanë mundur ta ruajnë dhe ta institucionalizojnë as grupet e mirëorganizuara politike në vend. FDE ka ditur të reagojë dhe të mbajë të ndezur interesin e të rinjve për aktivitetet e saj. Profili i hapur i forumit ka lejuar drejtuesit të zgjerojnë temat e debatit, spektrin e lektorëve, duke i dhënë edhe një dimension kombëtar, që nuk ishte ndeshur më parë. Zhvillimet në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi analizohen në një frymë që tenton t’i shmanget interesave të ngushta, t’i tejkalojë ndarjet ideologjike, diferencat krahinore, duke i prezantuar në një varësi të ndërsjelltë që profilizon faktorin shqiptar si një të tërë në rajon dhe më gjërë. Në disa raste kam marrë pjesë në këtë forum dhe kam ndjekur rrëfimet e lektorëve të ftuar, që çuditërisht ndërgjegjësohen që në hapjen e tij se janë në një mjedis ku të pranishmët kanë zgjedhur të trajtohen njësoj, të mosidentifikohen me gradat dhe ofiqet, të mos grinden për pikëpamjet. Ata kanë zgjedhur të afrohen edhe pse mendojnë ndryshe, edhe pse nuk ndjehen të vetmuar, edhe pse janë shumë të ngarkuar në gjërat që ju duhet të bëjnë për të jetuar. Ata kanë zgjedhur të ndërtojnë një komunitet të vlerave dhe të mirës, që ka në themel komunikimin e hapur. Komunitete të tilla janë të pakta në vend. Ndryshe nga organizata të tjera që ofrojnë apo synojnë të ofrojnë të rinjtë ne vend, FDE ka devijuar nga rregulli i përdorimit të të rinjve, apo nga përdorimi i vetë FDE nga grupet politike. FDE nuk ka zgjedhur të jetë një organizatë revolucionare që pasi i dynd të rinjtë me hashash dhe alkol nëpër diskoteka, i armatos ata me parrulla dhe furçe boje për të manifestuar perversitetet e politikës nga të cilat ata kontrollohen. FDE nuk ka zgjedhur format “moderne” për të tërhequr të rinjtë nëpër labirinthet e interesave të drejtuesve, duke kaluar përmes diskotekave, pub-eve dhe orgjive. FDE nuk të paguan asnjë qindarkë që të ndjekësh aktivitetet e saj, nuk të kërkon të nëshkruash në një listë presence, nuk të kërkon të paguash kuota anëtarësimi. FDE ka meritë se është thjesht një forum i të rinjve. Dhe, fatkeqësisht vepron vetëm në Tiranë. Drejtuesit e tij duhet të mendojnë seriozisht për krijimin e një rrjeti kombëtar, pasi platforma e ndërtuar prej tyre mungon padrejtësisht në shumë qytete të vendit. Të rinjtë në këto qytete kanë vërtet nevojë për modele të tilla organizimi, që i edukojnë të kuptojnë forcën dhe vlerën e pjesëmarrjes së tyre në politikë. FDE ka treguar se është një model i suksesshëm....