E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro pret përfaqësuesen e OKB në Shqipëri, Turkoz-Cosslet

Ministri i Punës: Projekte eficente për mbështetjen e fushave prioritare

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro,ka pritur dje në një takim përfaqësuesen e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Gulden Turkoz-Cosslet. Në takim u diskutua rreth projekteve që kjo organizatë, së bashku me agjencitë e saj, po zbatojnë në Shqipëri në kuadër të Programit “Një OKB”.
Zonja Cosslet u shpreh se pjesa më e madhe e punës së OKB në Shqipëri është përfshirja e saj në programe që mbështesin fusha të tilla, si: barazia gjinore, mbrojtja e të drejtave të romëve, punësimi i të rinjve dhe emigracioni, që janë njëkohësisht fusha që mbulohen me politika nga Ministria e Punës dhe strukturat e saj. “Pikërisht, për këtë arsye, edhe bashkëpunimi më i ngushtë i agjencive të OKB në Shqipëri është me Ministrinë e Punës”, u shpreh përfaqësuesja e OKB në Shqipëri. Sipas saj, “Organizata e Kombeve të Bashkuara parashikon të mbështesë axhendën sociale të qeverisë edhe në vitet e ardhshme”.
Duke u ndalur specifikisht në secilin nga tre projektet që agjencitë e OKB në Shqipëri po zbatojnë me Ministrinë e Punës, zonja Cosslet u shpreh se tashmë janë marrë masat për fillimin e projektit për Punësimin e të Rinjve dhe Emigracionin, në janar të vitit 2009, dhe po vazhdon implementimi i projekteve për monitorimin e të drejtave të romëve dhe barazinë gjinore. “Projekti i monitorimit të të drejtave të romëve vlerësohet nga ne shumë i rëndësishëm dhe është kjo arsyeja që Kombet e Bashkuara parashikojnë rritjen e fondeve në të ardhmen për këtë projekt në Shqipëri”, u shpreh Cosslet.
Ministri i Punës, Anastas Duro, vlerësoi se pikërisht fushat që mbulohen me projekte nga Programi Një OKB, jo vetëm janë pjesë e politikave të Ministrisë së Punës, por përfshihen në objektivat prioritare të saj dhe të vetë Qeverisë. “Kërkesa jonë në vazhdimësi për të gjithë donatorët është që t’i drejtojnë fondet e tyre në projekte që mbështesin pikërisht ato fusha dhe ata sektorë jo vetëm prioritarë, por edhe ku nevoja për asistencë si teknike ashtu edhe financiare është më e madhe. Kam parasysh këtu zhvillimin e sektorit të formimit profesional, i cili deri tani është shtrirë vetëm në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, kur nga satistikat duket se niveli më i lartë i papunësisë është në Zonën Verilindore. Vetëm nëse nevojat përputhen me prioritet dhe këto prioritete mbështeten me programe efiçente, vlerësojmë se rezultatet do të jenë konkrete.” Duro u shpreh se vlerëson kontributin që OKB jep në Shqipëri dhe veçanërisht programet që ajo po zbaton në bashkëpunim me strukturat e Ministrisë së Punës, duke garantuar për mbështetjen që Ministria do të vazhdojë të japë për zbatimin e programeve edhe nëpërmjet koordinimit me ministritë e linjës dhe pushtetin vendor.

Bashkëbiseduesit vlerësuan se deri tani ecuria e zbatimit të projekteve po ecën me ritëm shumë të mirë dhe ndanë mendimin se është e nevojshme ngritja e një mekanizmi ndërministror për satistikat gjinore, të cilat do të shërbejnë, përveç të tjerash, edhe për adresimin sa më të mirë të problemit. Duro siguroi për angazhim maksimal për të realizuar detyrimet institucionale, bazuar edhe në objektivat e Qeverisë dhe në prioritetet e saj.

Shqipëria është një nga tetë vendet e përzgjedhura nga OKB për zbatimin e Programit “ONE-UN” (“Një OKB”). Programi mbështetet nga (UNDAF) për 2006–2010.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›