Botohen aktet e Konferencës mbi Darvinin në Universitetin Gregorian të Romës
Një hap i rëndësishëm drejt gjetjes së gjuhës së përbashkët ndërmjet shkencës, filozofisë e teologjisë, për të kapërcyer vështirësitë e së kaluarës dhe për të nxitur punën kërkimore në secilin prej këtyre sektorëve. Ky është rezultati i Konferencës “Evolucioni biologjik: fakte e teori. Vështrim kritik 150 vjet pas “Origjinës së Specieve”, zhvilluar në mars të vitit 2009 në Universitetin Papnor Gregorian në Romë. Aktet e atij takimi akademik i pashembullt për Kishën Katolike, u botuan dhe u paraqitën ditët e kaluara pikërisht në Gregoriana. “Kisha nuk e dënoi kurrë Çarls Darvinin, as teorinë e tij të evolucionit. Megjithatë, shumë njerëz janë akoma të bindur se ajo e kundërshton këtë teori shkencore”. Janë fjalët e kardinalit Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, i cili u kujdes për botimin e vëllimit 700 faqësh, ku përmblidhen të gjitha relacionet e konferencës së 2009-ës. Edhe në hyrjen e tij, profesorët Auleta, Lëklerk e Martìnez vënë në dukje se gjatë konferencës u tregua me fakte se janë qëndrimet ideologjike ato, që krijojnë konflikt ndërmjet shkencës e teologjisë.
Prof. Xhenaro Auleta, pedagog i filozofisë së shkencave në Universitetin Gregorian u ndal mbi motivet për të cilat Kisha duhet të thellojë njohuritë e veta shkencore, që të mos mënjanohet nga kultura bashkëkohore: “Njohuritë shkencore nuk janë thjesht njohuri të dorës së dytë, që kanë të bëjnë vetëm me çështje empirike pa rëndësi, por janë njohje e së vërtetës në kuptimin e saj më të plotë, prandaj meritojnë të merren shumë seriozisht. Ajo filozofi e teologji, që nuk arrin ta kuptojë këtë, sipas meje, e dënon vetveten me vdekje të shpejtë, sepse filozofia pa shkencë rrezikon të bjerë në estetizimin e relativizmit. Nënvleftësimi i fjalës së shkencës mbi universin tonë do të ishte vërtet gabim i rëndë”.
Çast qendror i paraqitjes së Akteve, qe ndërhyrja e kryetarit të Akademisë Papnore të Shkencave, mikrobiologut gjenetist, çmim Nobel për mjekësinë, Verner Harber, i cili vuri në dukje përparimet e bëra në zbatimin e teorisë evolucioniste në proceset molekulare e në fushën e gjenetikës. Ai theksoi se sot, njeriu ka mundësi të ndikojë pozitivisht mbi proceset evolutive, përmes inxhinjerisë gjenetike, por deri tani e ka bërë këtë thjesht për qëllime ekonomike. Për ta përdorur gjenetikën edhe në përmirësimin e kushteve ambientale, ekonomike e shoqërore të globit, do të duhej një kontroll politiko-shoqëror, që të garantojë respektimin e etikës e sidomos të ndryshueshmërisë së llojeve.
17 vajza të reja bëhen “Bijat e Nënë Terezës”/17 vajza të reja iu shtuan këto ditë ushtrisë së bamirësisë, themeluar nga Nëna jonë Terezë. Vijnë në Kongregatë nga të katër anët e botës, posaçërisht nga Afrika e Amerika. Sapo bënë kushtet e përjetshme, duke fituar titullin e plotë: “Bijat e Nënë Terezës”, pasi e kaluan me sukses kohën e noviciatit, aspak e lehtë, në shtëpitë e Nënës të të varfërve. Ceremonia e kushtet u kremtuan në Kishën e Shëna Ndout, në lagjen romake Tuskulana. Rit i thjeshtë e solemn, që arriti kulmin, kur vajzat pohuan me zë të lartë vendimin e tyre për t’ia kushtuar gjithë jetën Krishtit e Kishës katolike, në urdhrin e Misionareve të Bamirësisë. Vunë, kështu, mbi kokë, velin e veshën sarin me anë blu, tashmë i famshëm në tërë botën, falë përkushtimit të tyre të plotë në gjirin e të varfërve më të varfër. Motrat e Nënë Terezës nuk njohin krizë vokacionesh e, për ato që studiojnë në Romë, dy herë në vit kremtohet riti i kushteve, gjatë të cilit Kisha mbushet gjithnjë plot me vasha të reja, që vijojnë e vijojnë t’i kushtohen Krishtit, si Nënë Tereza, me moton e Motrës shqiptare, shkëputur drejtpërdrejt, nga Ungjilli: “Isha i uritur e më dhatë të ha; i etur, e më dhatë të pi”. Këto vajza të reja vijnë nga të katër erërat. Përfaqësojnë shtresa e kultura të ndryshme. Nganjëherë janë edhe bija familjesh të pasura e kanë deri tituj studimesh të larta. Këto vite, më të shumtat janë afrikane, amerikane e më pak, evropiane. Të gjitha, me moshë ndërmjet 20 e 30 vjetëve, i bashkon thjeshtësia e thellësia e një feje të krishterë tejet të fortë, pa të cilën nuk do të kishte pikë kuptimi jeta tepër e vështirë, që jetojnë ditë për ditë. Këto vajza të reja nuk kanë asgjë tjetër mbas shpirtit, veç sarit e Provanisë hyjnore. Por rrezatojnë aq shumë paqe, aq shumë gëzim, sa tërheqin pas vetes këdo i shikon, edhe ata që dyshojnë shumë në një jetë të tillë kaq të vështirë. Jetë pa kuptim, për turmën, që rend pas parasë, pas kënaqësive të çastit, pas lavdisë së rreme, duke harruar se në rendje e sipër njeriu mund të rrëzohet, të humbasë gjithçka, të braktiset e të ketë nevojë pikërisht për një engjëll, veshur me sari bardh e blu. Në një botë ku ndërmjet qindra formave të varfërisë, braktisja është më e keqja. Tani bijat e Nënë Terezës janë nisur për në vende të ndryshme të botës, për t’u bërë engjëj të të sëmurëve, të të pastrehëve, të pleqve të harruar, të fëmijëve pa familje, të të gjymtuarve. Të njerëzve të vetmuar e të lënë pas dore! E këtë e bëjnë pa kërkuar asnjë shpërblim, duke kaluar një jetë të heshtur, të mënjanuar, tek këmbët e Kryqit, nën hijen e fesë!
Më 29 maj u përkujtua vdekja e Dom Nikollë Kaçorrit, meshtar e patriot i jashtëzakonshëm/Prifti e patrioti shqiptar dom Nikollë Kaçorrin ishte figurë kryesore në lëvizjen kombëtare për pavarësi. Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës 1912, dom Kaçorri qe një personalitet i spikatur i Kishës katolike, sekretar i Argjipeshkvisë së Durrësit, me qendër asokohe në Delbnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke pasur në administrim dhe Kishat e famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Dom Nikollë Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, ku u vendos për alfabetin e gjuhës shqipe, përkrah Atë Fishtës dhe personaliteteve tjera të kohës. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit, ku u diskutuan probleme të shkollës shqipe.
Çdo 28 Nëntor, së bashku me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin përkujtohet edhe atdhetari i madh dom Nikollë Kaçorri. Ai u lind në Kre-Lurë në vitin l862 dhe vdiq në Vjenë në vitin l9l7, pas një sëmundje të rëndë në moshën 55 vjeçare. Emri i dom Nikollë Kaçorrit është përmendur rrallë gjatë viteve të komunizmit, duke mos i dhënë vendin që meriton këtij kleriku katolik në panteonin e figurave të shquara të kombit shqiptar, siç pati theksuar në homelinë e meshës së rivarrimit në katedralen e Shën Luçisë në Durrës, edhe presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita.
Papa denoncon përpjekjet e mënjanimit të Zotit nga jeta publike/Papa denoncon “përpjekjet për mënjanimin" e krishterimit “nga jeta publike” dhe nënvizon se “kriza” aktuale “sjell me vete elemente të përjashtimit të Zotit nga jeta publike e njerëzve, që dëshmon një indiferencë të përgjithësuar ndaj vet fesë së krishterë”. Kështu tha mes tjerash Papa në audiencë me dikasterin e Vatikanit për Ungjillëzimin e Ri, i cili këtyre ditëve mban asamblenë e vet të parë plenare. “Kriza që po përjetohet – u tha Papa përfaqësuesve të dikasterit të Selisë së Shenjtë të themeluar prej tij, të cilin e drejton imzot Rino Fisichela – ka në vete, karakteristikat e përjashtimit të Zotit nga jeta e njerëzve, tiparet e indiferencës së përgjithësuar ndaj vet fesë së krishterë, deri në tentimin e mënjanimit të saj nga jeta publike. Në dekadat e kaluara ishte akoma e mundur të gjendej kuptimi i krishterë në vija të përgjithshme, që ishte rritur nën hijen e fesë e cila ka ngjizur kulturën. Sot, mjerisht, gjendemi para dramës së thërrmimit...që nuk lejon më të kesh referim njësues; më tutje, shpesh po verifikohet fenomeni i njerëzve që dëshirojnë t’i përkasin Kishës, por që janë thellësisht të mbrujtur (formuar) nga një vizioni i jetës që është në kundërshtim me fenë”.
Marrë nga Radio Vatikani