“Investimet kineze janë të mirëpritura në Shqipëri”
Kryeministri Berisha takon kryeredaktorin e agjencisë kineze të informacionit Hsinhua, He Ping
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim kryeredaktorin e agjencisë kineze të informacionit Hsinhua, He Ping, së bashku me delegacionin që e shoqëronte. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri u shpreh se kjo vizitë do të jetë një kontribut i ri dhe i rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore e tradicionale midis dy kombeve e vendeve tona.
Kryeministri Berisha nënvizoi se qeveria shqiptare është e vendosur të zhvillojë më tej marrëdhënie më të mira e më miqësore me Republikën Popullore të Kinës. Kryeministri Berisha e konsideroi shumë të rëndësishëm bashkëpunimin në fushën e informacionit dhe e vlerësoi si një mundësi më shumë për njohjen me zhvillimet midis dy vendeve.
Vendet tona, u shpreh Kryeministri, janë të përfshira në procese të mëdha transformimi dhe bashkëpunimi i gjithanshëm është me interes shumë të madh.
Në këtë takim Kryeministri e njohu He Ping me zhvillimet e mëdha që ka njohur Shqipëria në pesë vitet e fundit në infrastrukturë, në dixhitalizimin e shërbimeve, shtrirjen shërbimit të internetit në çdo shkollë, etj. Duke e njohur atë me transformimin që ka sjellë në gjeopolitikën e rajonit ndërtimi i rrugës Durrës - Kukës, çka ka nxjerrë në pah rëndësinë e porteve shqiptare, Kryeministri u shpreh se kompanitë kineze janë të mirëpritura për të investuar në to.
Kryeministri Berisha u ndal në potencialet e mëdha hidrike, turistike, minerare, etj, që ofron Shqipëria dhe në këtë kuadër ftoi biznesin e madh kinez të përfitojë prej tyre. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha u ndal në klimën tepër favorizuese që ekziston në Shqipëri për zhvillimin e biznesit dhe investimeve. Pas reformave të thella e të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria, u shpreh Kryeministri,- koha e regjistrimit të biznesit është shkurtuar nga 40 ditë në 30 minuta dhe me vetëm 1 euro, duke e renditur vendin 27 për qind më lartë se vendet e OECD-së për regjistrimin e biznesit.
Nga ana e tij, He Ping e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehu kënaqësinë për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve që ekzistojnë midis dy vendeve. Ai nënvizoi se kjo vizitë do të jetë një kontribut i mëtejshëm jo vetëm për forcimin e këtyre marrëdhënieve, por edhe për të shtuar bashkëpunimin me institucionet informative në Shqipëri, siç është Agjencia Telegrafike Shqiptare.
He Ping vlerësoi punën e qeverisë shqiptare, ndërsa theksoi se nën drejtimin e Kryeministrit Berisha dhe me rinovimin e teknologjisë ekonomia shqiptare ka njohur zhvillime të mëdha. Në këtë kontekst, ai theksoi se agjencia që ai drejton do të shërbejë jo vetëm si urë miqësie midis dy vendeve, por me anë të saj do të prezantojë zhvillimet e mëdha ekonomike e shoqërore të Shqipërisë dhe klimën e favorshme të biznesit, me qëllim nxitjen e mëtejshme të biznesit kinez për të zgjeruar aktivitetin e tyre në Shqipëri dhe për të rritur bashkëpunimin në nivele të gjithanshme.