E Diel, 1 Nëntor 2026

Reportazh/Bujar Leskaj nderohet me titullin “Qytetar Nderi i Amantia-s”

31-05-2011 / Nga Gëzim Llojdia

Këshilli i fshatit Amantia dhe shoqata me këtë emër i ka dhënë dje titullin “Qytetar nderi i qytetit ilir Amantia”, ish-Ministrit të MTKRS Bujar Leskaj. Amantia dje ishte në festën tradicionale që përkujtohet çdo vit, “Ditën e Amantias”. Në stadiumin e lashtë dhe antik të qytetit Amantia, shoqata Amantia, këshilli i fshatit dhe Parku Arkeologjik Kombëtar “Amantia”, risolli traditën e lashtë. Për të përkujtuar lojërat olimpike dhe pjesëmarrjen  e sportistëve amantas në lojërat olimpike, parku arkeologjik vendosi një trofe: “Kupa Amantia”, me pjesëmarrje te ekipeve olimpike. Morën pjesë mbi 100 sportistë të cilët përfaqësonin skuadrat “Amantia”, “Sevasteri”, “Amonica”, “Smokthina” dhe “Vajza”. Këshilli i fshatit Amantia, i përfaqësuar nga Kryeplaku Ardiatik Brahimaj i dorëzuan me ceremoni titullin “Qytetar Nderi i Amantias”, për kontributin e dhënë për hapjen dhe mbështetjen e parkut arkeologjik Amantia dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, zotit Bujar Leskaj. Ai e vlerësoi vendimin e këshillit të fshatit si një kontribut për njohjen e trashëgimisë kulturore. Leskaj u shpreh se me vendimin e kryeministrit Berisha, në vitin 2005 u hapën 7 parqe kombëtare arkeologjike, 2 nga të cilët i përkisnin rrethit të Vlorës, parqet arkeologjike të Shkodrës, Lezhës, Apolonisë, Bylisit, Amantias, Orikumit, Antigonesë dhe Finiqit. Ai tha se në kuadër të zhvillimit të turizmit kulturor kërkohet në të ardhmen përmirësimi dhe mirëmbajtja e mëtejshme e objekteve të trashëgimisë kulturore. Leskaj përmendi faktin se ky qytetërim që ka zgjatur rreth 1000 vjet mban vulën e ilirëve, paraardhësve tanë, të cilët ndërtuan një qytetërim, gjurmët e të cilëve ne i kemi sot prezente. Gjatë ceremonisë, mjaft oratorë u ndalën në rolin e zotit Leskaj në shpalljen e këtij siti arkeologjik si park kombëtar, por edhe në vijimësi duke u interesuar për infrastrukturën e rrugës, e cila paraqet vështirësi për rreth 8 km ende të paasfaltuara si dhe për rritjen e turistëve që vizitojnë këtë qendër arkeologjike, 45 km larg Vlorës dhe 680 m mbi nivelin e detit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›