Botohet Fjalori Drejtshkrimor me 75000 fjalë
Mbas “Fjalorit të parë Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe”, botuar në vitin 1976 me rreth 38 mijë fjalë, një tjetër fjalor i ri me rreth 75 mijë fjalë është botuar kohët e fundit nga gjuhëtarët Ali Dhrimo e Rami Memushaj dhe është promovuar gjithashtu në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Sipas gjuhëtarit Rami Memushaj “40 vjet mbas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe 34 vjet pas hartimit të të parit fjalor drejtshkrimor të shqipes (1976), nevoja e hartimit të një fjalori të ri drejtshkrimor erdhi duke u bërë gjithnjë e më e domosdoshme”. Fjalori rreh të pasqyrojë në mënyrë sa më të plotë atë pasurim dhe shpërthim të gjuhës shqipe në të gjitha stilet, gjinitë, sidomos në këto 20 vitet e fundit, që është arritur falë punës së lëvruesve të shqipes dhe të përkthyesve. Sipas Memushaj “Ky fjalor është një libër që duhet të ndodhet në tryezën e atij që shkruan. Botimi pasqyron se çfarë është arritur në njësimin e normës së gjuhës shqipe që nga viti 1972 e deri në vitet tona, në fushën e fonetikës, gramatikës dhe drejtshkrimit”. Dy autorët e fjalorit kanë punuar rreth tre vjet e gjysmë për hartimin e tij, pasi sipas Memushaj, pasqyrimi i leksikut të shqipes në fjalorët normalë është e pamjaftueshëm. “Botimi i këtij fjalori me rreth 75.000 fjalë është një ndihmesë jona në pasurimin e leksikut të shqipes”, përfundon gjuhëtari.