Burg përjetë vrasësit të taksistit

Përleshje në Gjykatë pas dënimit Policia, duke ndërhyrë ditën e djeshme jashtë ambienteve të Gjykatës së Korçës, pas përleshjes fizike të familjarëve të taksistit të vrarë dhe prindërve të të dënuarit përjetë për këtë vrasje. Familjarët e viktimës kanë kërkuar në seancat e mëparshme dënimin me vdekje të autorëve, ndërsa u irrituan edhe nga ulja e dënimit të njërit prej të akuzuarve për vrasje.
Tension ndërmjet familjarësh shkaktoi vendimi i djeshëm i Gjykatës së Korçës, për gjashtë të pandehurit e vrasjes së taksistit nga Devolli, Fredi Talelli.Trupi gjykues vendosi burgim të përjetshëm për 25-vjeçarin Elkjero Revani, 16 vjet burg për Arnest Xhaçkën, 8 vjet heqje lirie për Domeniko Kumria nga Elbasani dhe 5 vjet për Kastriot Paplekën, pasi ata u akuzuan për veprime që penguan zbulimin e së vërtetës. Ndërsa për dy minorenët nga Laçi dhe Lezha A. Selmani dhe J. Zeqja, gjykata vendosi dënimin me nga 6 muaj burg për fshehje të armës së krimit pas vrasjes së taksistit. Edhe Prokuroria, në seancën paraardhëse kishte kërkuar dënime thuajse të njëjta për këta të pandehur, por nga favorizimi i ligjit si minorenë kanë përfituar Arnest Xhaçka, A. Selmani dhe J. Zeqja, me përgjysmim dënimi sipas nenit 51 të Kodit Penal, që njeh automatikisht zbritjen e gjysmës së dënimit për të miturit. Ashtu siç ndodhi në seancën e mëparshme kur në dhënien e pretencës reaguan familjarët e viktimës, edhe dje pati tensione të ashpra në Gjykatë. Të afërmit e viktimës nuk ishin dakord me përgjysmimin e dënimit për të pandehurit minorenë. Reagimet ishin aq të ashpra, sa policia i nxori ata forcërisht nga salla. Por, reagime pati edhe nga të afërmit e Elkjero Revanit, të cilët e konsideruan të padrejtë dënimin maksimal, ndërsa për autorin tjetër të vrasjes u ul dënimi nga 25 vjet që kërkoi prokuroria, në 16 vite burg. I pandehuri minoren Arnest Xhaçka pohoi në seancën e djeshme se nuk kishte pasur si qëllim të vriste taksistin dhe e qëlloi atë i trembur, në momentin kur po reagonte ende i plagosur. Ai shtoi se ka qenë shoku i tij Elkjero Revani, ai që i mori jetën duke e qëlluar me çekan në kokë. Pikërisht për këto veprime ndaj një të pambrojturi në gjendje të plagosur, Elkjero Revani ka marrë dënimin me burgim të përjetshëm me akuzën “vrasje në rrethana cilësuese”. Pas dhënies së vendimit nga ana e Gjykatës, tensioni mes të afërmve të viktimës dhe familjarëve të të pandehurve që u paraqitën në këtë seancë, pati jo vetëm sharje, por edhe konfrontime fizike jashtë Gjykatës. Familjarët e Talellit thanë se do ta apelojnë vendimin.
KORÇE/ GEZIM ASHIMI