E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botohet në rumanisht "Zonja e zezë"

"Enver Hoxha ka qenë një lider i tillë: një kombinim i kapedanit tribal me atë të burokratit bolshevik, dogmatik i mizor, stalinist i kategorisë më të ashpër (në qoftë se pranojmë se do të ekzistonte përshkallëzim në këtë algoritëm të mos respektimit të ligjit), maniak i spastrimeve periodike, relativisht i kultivuar në krahasim me militantët proletarë, Hoxha ia doli mbanë të sfidojë së pari Josip Broz Tito-n (me ndihmën e Moskës) dhe pastaj Nikita Sergeieviç Hrushiov-in (me ndihmën e Maos).


Ndërtoi në Shqipëri një sistem si kamp përqendrimi me një intensitet dhe jetëgjatësi të pakrahasueshëm në Europë (ekuivalenti mund të ishte despotizmi aziatik i Koresë së Veriut)".


ështu shkruan politologu dhe profesori rumuno-amerikan Vladimir Tismaneanu në parathënien që i bën monografisë "Zonja e zezë" të autorit shqiptar Fahri Balliu i cili ka vetëm pak ditë që ka dalë në gjuhën rumune.


Njohës i komunizmit, dhe i filozofisë shkatërruese që ky sistem solli në vendet që e jetuan atë, Tismaneanu e cilëson këtë vepër si skanerin më të mirë që i është bërë ndonjëherë një personazhi, që ndihmoi në jetëgjatësinë e këtij sistemi në Shqipëri. Madje studiuesi heq paralele midis Nexhmije Hoxhës dhe Elena Çausheskut: "Ashtu si Elena Çaushesku ëndërroi të ishte kimiste, Nexhmija ëndërroi të ishte ideologe.


Ismail Kadare ka të drejtë, në parathënien aq të nevojshme, për librin vërtet tejet tërheqës të Fahri Balliut, se si, në hierarkinë e errët "të shoqeve të jetës dhe të luftës", Nexhmije Hoxha shfaqet si më e zeza.


Në rast se lëçitësit dëshirojnë të shohin se si do të reagonte Elena po qe se do të kishte mbetur e ve, mund të merrni vesh gjëra interesante nga reagimet e Nexhmijes. Ky libër nuk është vetëm instrument njohjeje historike, por dhe një paralajmërim. Znj Hoxha nuk ka shprehur askurrë as shenjën më të vogël të keqardhjes."


Vetëm pak ditë më parë libri u prezantua në Panairin Ndërkombëtar të Librit "Gaudeamus" në Rumani, ku ishte i pranishëm edhe autori Balliu. "Sinistra domana Nexhmije Hoxha", është titulli në rumanisht i librit i botuar nga Shtëpia Botuese Humanitas e cila është dhe botuesja e librave të shkrimtarit Ismail Kadare.


"Zonja e Zezë" është botuar në kolanën Histori Bashkëkohore, e drejtuar nga Vladimir Tismaneanu, profesor i Universitetit të Maryland-it në SH.B.A dhe Cristian Vasile.
Re.ku


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›