Ishte dënuar për vrasje në mungesë, kërkon rigjykimin
Kërkesa
TIRANË- Është dënuar në mungesë për vrasjen e një personi në vitin 1999, por kërkon të rigjykohet nga Apeli.
Robert Preni i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Shkëlqim Malokut, i ekstraduar pak muaj më parë nga Greqia, kërkon nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet të rivendosë çështjen e tij në afat për t'u gjykuar në Gjykatën e Apelit për akuzat që rëndojnë mbi të.
Nëpërmjet avokatit të tij, i dënuari me 25 vite burg Preni, me anë të një kërkesë padie, i ka kërkuar togave te zeza që dosja e tij të rivendoset në afat për tu gjykuar sërish për akuzën e "vrasjes me paramendim" dhe "armëmbajtjes pa leje".
Sipas kërkuesit Preni, dosja ndaj tij duhet të rigjykohet pasi është dënuar në mungesë, duke mos i dhënë të drejtën e mbrojtjes në një proces të drejtë dhe ligjor. Togat e zeza, pritet të shqyrtojnë këtë kërkesë, ku do të vendosin rigjykimin apo jo të tij nga Gjykata e Apelit, ku kërkon uljen e masës së dënimit për vrasjen e Shkëlqim Malokut në gusht të 1999.
Kjo vrasje, sipas vendimit me nr.188 të datës 29 mars 2000, i pandehuri Preni është shpallur fajtor për "vrasjen me paramendim" të shtetasit Shkëlqim Maloku në vendin e quajtur "Kthesa e Marikajve" të Komunës së Vorës.
Mësohet se vrasja ka ardhur pasi i pandehuri Preni pretendonte se viktima Maloku nga Fushë-Kruja i ngacmonte gocën e tij dhe pak ditë para ngjarjes dyshonte se viktima së bashku me një shokun e tij të paidentifikuar kishte hyrë në banesën e tij duke kryer vjedhjen e disa sendeve me vlerë. Pas kësaj vrasjeje, sipas vendimit, i pandehuri Preni është larguar në drejtim të Gjermanisë, ku kishte qëndruar i fshehur për dy vite.
Më pas, Preni pasi kishte marrë vesh se ndaj tij kishte një vendim penal dhe emri i tij ndodhej në listën e Interpolit, është vendosur në Greqi, ku edhe u arrestua më 19 shtator 2007, ndërsa në maj të 2008 është bërë ekstradimi i tij në Shqipëri ku edhe po vuan ditët e burgut.