Programi i Nastradin Hoxhës dhe rilindasit e korrupsionit
Kryetari shtatgjatë i PS Rama, besnik i vazhdimsisë, ishbasketbollist i stolit, ishpiktor kashte, ishzhurnalist me kopje, ishturist plazhesh nudo, ish minister i antikulturës, ishkryebashkiak i varfër piramidash ndërtimore, për habi në kundërshtim me ligjin biologjik, na paska një mori origjinash. Ky fakt u gjet papritur në një liber arkivor teksa shitej trotuareve, krahas librave antikolaboracioniste. Pra, kryetari më spari na del çoban bagëtish, nga mali me vija mbi Berat, ku si në epokën e gurit shkruhej me gurë emëri i një satani, i lidhur me vargmale me oborrin afër Lanës me predha tymuese kundër tërë botës. Por, mrekullia e një origjine tjetër qenka krejt ndryshe, e fshehur prej vitesh diku në një fshat përmetar, i njohur për rilindas, pak orë larg nga qyteti me lule, def e saze e raki, në muajin e bukur të majit. Flitet se ish-piktori për këtë fshat ka realizuar disa peisazhe moderniste. Por për t’i kuptuar duhet të vrasësh mendjen se çfarë ka dashur të thotë. Tani kryetari, sado ca i vonuar, një herë na del para syve si rilindas, më pas me fytyrën e dajës, por mbi të gjitha me figurën e financierit e pllanovikut surealist, e kështu me radhë.
Shumë vetë pyesin: cilët janë bashkautorët? Përgjigjen e jep vetë kryetari duke u shtrirë larg në kohë, qysh nga fillimet e Rilindjes, por të zhveshur nga ngjyrat kombëtare, sepse sipas tij, prirjet nacionaliste tashmë i përkasin një kohe të kaluar, për të mos thënë të harruar. Veçse mos u habitni, kur të mësoni se kryetari Rama, sipas stilit të vet, bashkautorët i ka pagëzuar me emrat e ndritur të rilindasve. Të parin, Ruçin ish-ministrin e snajperëve, me emrin e rilindasit të shquar Koto Hoxhit; ishbashkiakun e ishkryeministrin afatshurtër Bashkim Finon, apo Baçin me emrin e madh të Abdyl Frashërit; ish-ministrin e financave Cacin me mbiemër ëngjëlli, ujkun e parave e kryerektorin e gjithë universiteve të Europës, e nderon me emrin e shenjtë të një martiri të paharruar, Papa Kristo Negovanit, kurse Arsen Lupenin e të 99-tave Erion Veliaj me emrin e nderuar të Dervish Himës.
Të hidhemi te “pllanet e programet”. Edhe këtu dukuria merr trajta nga më të larmishmet, herë me pamje kokëposhtë, as djathtas, as majtas, fluturake e flurore. Por, kryetari befas zemërohet, çirret e bërtet, se ato “kryevepra” ia paska kopjuar dikush në kohën mbrapsht, Edhe kjo bën pjesë në stilin ala Pikaso të kryetarit Rama. Veçse, qeveria prej kohësh i ka regjistruar në krahun e realizimeve.
Eshtë përhapur edhe një thashetheme e pabesueshme, se kryetari i PS me atë pamje të rrahur fort nga dielli i Dubait, paska edhe një origjinë të panjohur deri më sot. Thonë se është edhe stërnip i Nastradin Hoxhës, i cili shumë vite më parë, hipur mbi murgjar mbërriti deri në Qafë Thanë. Teksa shikonte drejt perëndimit iu shfaq si në ëndërr një vend me male, fusha, lumenj e deti larg. Ashtu gjysmë fjetur mbi samar hartoi një program e një ferman për zotërimin e terë asaj hapësire, që humbiste larg. Por befas fryhu një erë e fuqishme nga grykat e maleve dhe ia rrëmbeu letrat dhe festen, ndaj ktheu murgjarin nga lindja dhe u largua nga Shqipëria.
Pak a shumë një ëndërr si ajo, u vërtetua në ditën e fundit, kur po mbyllej një mbledhje e madhe apo siç thuhet në gjuhën e vështirë latine, Konventa e PS. Kryetari, meqenëse i ngatërroi letrat e shkruara nga të tjerët, foli me një gjuhë fluturake, nga fundi në krye, nga kreu në fund e rreth e qark. Duke dashur të bëj humor, përdori si argument për t’u zgjedhur kryeministër gjatësinë e shtatit të vet, i vlefshëm ndoshta vetëm për basketboll. Me këtë u zbulua kultura boshe e ish-ministrit socialist të kulturës pas kthimit nga Parisi. Shumëkush e di nga historia, se kur Napoleoni qortonte vartësin e tij Ney-in, i thoshte arbërisht. se do t’ia shkurtonte ndryshimin që kishte me të në trup. Ndaj shumica e dëgjuesve në sallë heshti. Pastaj i qante hallin Ballës për shpifjet e ndëshkuara nga gjykata, herë shante policët, herë i merrte në mbrojtje. Befas hidhej te doktorët e infermierët. Pa dashka mori në mbrojtje edhe kryeministrin, kur përmendi taksën për pagat mbi 30000 lekë. Mandej nga Shqipëria hidhej në Kosovë, nga Kosova fluturonte te spitalet, nga spitalet te internacionalja socialiste, nga maternitet tek universitetet, nga plazhet e ndotura për pakujdesi të vendorëve socialiste, te arrat e gështenjat e fermerëve të përkrahur nga qeveria e sotme. Madje na kujtoi parullën e PPSh “të punojmë me forcat tona” teksa tha, se duhet të sigurojmë në vend ushqimin, përfshi grurin e pataten. Një lëmsh i vërtetë, mishmash, ose si i thonë turqit domuz çorbasi, shqip çorbë derri. Thëniet përplaseshin njëra me tjetrën, si poplat e gurit që sillen rreth e qark në një frantojë. Ligjërata u zgjat tërkuzë më tepër në fund sesa gjatë zhvillimit të saj dhe mori serish pamjen e një vepre surealiste me diçiturën “Një fund pa fund”. Skena dhe mënyra sesi fliste kryetari i gjatë, mori pamjen e një kafeneje, ku mungonte filxhani i kafes, gota me uj dhe paketa me cigare. Ata që dëgjonin në sallë, madje, edhe bashkautorët ndiheshin keq, kurse qytetarët para televizorëve gajaseshin dhe pandehnin se po fliste pa letër vet E. Hoxha, roma për toma në Pleniumin x, pa suflerin, R. Alinë.
Kjo gjendje në PS, e ka zanafillën jo shumë larg. I ngjan historisë së atij njeriu, i cili desh të rindërtonte shtëpinë e trashëguar, me ndihmën e disa të papunëve, që bredhin me duar ndër xhepa poshtë e lartë, me shpresë se mund të gjenin të harruar në cep të rrugës ndonjë valixhe me dollarë. Shtëpia s’u rregullua kurrë dhe trashëgimtari u mërzit dhe u largua.