E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botuesit, nderimi jashtë kufijve

Është hera e parë që në Panairin e Librit në Tiranë, Shoqata e Botuesve Shqiptarë sjell në vëmendjen e lexuesve shkrimtarët e ftuar, emra që shkruajnë në letërsi të huaj. Deri tani konfirmimi është për tre prej tyre, shkrimtarin Alberto Bevilacqua, italianin Reafele Nigro dhe Giovanni Miniello, si dhe shkrimtarin kroat, Bozidar Prosenjak. Përveç shkrimtarit Miniello që vjen me ftesë të shtëpisë botuese “Dudaj”, të tjerët sillen në Tiranë nga shtëpia botuese “Toena”, që është dhe enti ekskluziv i veprave të tyre në shqip. Në një njoftim për shtyp, Shoqata e Botuesve sjell një biografi të gjerë mbi këta shkrimtarë, sidomos e quan ngjarje ardhjen e Bevilacqua, të cilit i është rezervuar, së bashku me Presidentin e Shqipërisë, hapja e ceremonisë zyrtare të panairit. Sa për shkrimtarët shqiptarë, për ndonjë ngjarje që mund të na kujtojë ky panair gjithnjë mbetet në rangun e rutinës së botimeve të tyre.

Informacioni që vjen nga Shoqata e Botuesve na bën me dije se veprat madhore botuesit i kanë ruajtur për t’i ekspozuar në stendat e panairit. Por jo pak vëmendje në këto takime promovuese do t’iu kushtohet edhe librave, të cilët kanë bërë jo pak bujë në kohën kur kanë parë dritën e botimit dhe kanë shënuar mijëra kopje shitje, gjë që ndodh rrallë në tregun e librit shqip.

Në takimet promovuese, Shoqata e Botuesve njofton se do të tregohet vëmendje e veçantë në këndin e promovimeve të botimeve shkencore, vepra rrallë arrijnë të kenë vëmendjen e lexuesit. “Gjithsesi, janë veprat që botuesit po nguten t’i kenë gati për t’i ekspozuar në stendat e panairit, ato që tërheqin më shumë vëmendjen e lexuesve dhe kanë nevojë të kenë një kontakt më intim me ta nëpërmjet këtyre takimeve promovuese”.

Shkrimtarë të huaj, të ftuar në “Tirana 2008”

Panairi i 11-të i Librit “Tirana 2008” do të sjellë në Tiranë disa shkrimtarë të huaj, përveç Alberto Bevilacqua-s, shtëpia botuese “Toena” sjell edhe italianin Rafaele Nigro e shkrimtarin kroat, Bozidar Prosenjak. Ndërsa shtëpia botuese “Dudaj” sjell në Shqipëri autorin italian Giovanni Miniello. Përveç shkrimtarit Alberto Bevilacqua, një tjetër gazetar dhe shkrimtar italian, Rafaele Nigro është i ftuar në Panairin e 11-të të Librit që mbahet më 14-18 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Shqip, “Toena” për lexuesin shqiptar ka sjellë dy prej romaneve të tij më të vlerësuar ndërkombëtarisht, “Baronesha e Oliventos” dhe “Zjarret e Bazentos”. Shkrimtari ynë, Dritëro Agolli shkruan për romanin “Baronesha e Oliventos” të Nigros: “...Romani i Rafaele Nigros nuk është historik në kuptimin klasik, ai është si një shkencë plot fantazi që shpreh jo vetëm veçoritë biologjike të njeriut, si qenie e gjallë e natyrës, por edhe ndërgjegjen e tij historike”.

Ndërsa romani tjetër i tij jo pak i suksesshëm “Zjarret e Bazentos”, transformon një epope të gjallë popullore (me revolucione e uri, luftëra e epidemi, masakra e dashuri, utopi politike e epifani magjike) në një afresk epik e mitologjik, i cili bashkëngjit ngjarje historike e aventura interesante, revolta e profeci fetare, plaçkitje banditësh e luftëra politike. Përkrah personazheve historikë (nga mbreti i Napolit deri te kardinali Rufo, nga Murati te Garibaldi nga Kroko te Tomaso Bindi) lëvizin katër breza të një familjeje të njohur argatësh, me Françeskon, të cilin në 1799 e shohim të udhëheqë një revoltë kundër Borbonëve midis Ofantos, Bazentos e Kratit e Rafaele Arcangelos, një karmelitan i zbathur e me vraja, i cili në 1830 themelon Azilin e Gjakut të Vyer, me shumë gra guximtare ose mendjelehta e shumë fëmijë kuriozë e të magjepsur. Rafaele Nigro transformon një grup kronikash familjare të një epoke në një sagë gjaku dhe poezie, me ngjarje surreale e vizione, me biseda të vdekurish e kafshësh, me pjesë poetike e ekzorcizma, ndjenja të përditshme e pasione shkatërruese.

Giovanni Miniello flet shqip me “I kishte thonjtë të vizatuar”

Shtëpia botuese “Dudaj” sjell në Shqipëri një tjetër emër të letërsisë italiane.

Vepra e tij e parë që botohet në shqip është “I kishte thonjtë të vizatuar” dhe do të promovohet me praninë e autorit gjatë ditëve që do të mbahet panairi.

Giovanni Miniello është një prej atyre autorëve italianë, të cilët numërojnë dhjeta libra të botuar jo vetëm në Itali, por të përkthyer edhe në disa gjuhë të tjera botërore. Emër jo pak i njohur dhe me peshë në qarqet intelektuale italiane, por edhe në disa prej universiteteve botërore. Disa prej veprave të tij më në zë janë: “Anche il primo amore ti lascia una cicatrice: l’ombelico”; “Mela danno Pera More”; “Ci vuole fegato ad avere cuore”; “Luna e l’altra”; “SMS. Sei Mica Sola”; “Aveva la unghie disegnate”

Shkrimtari kroat, Prosenjak, në panair për librin

Një ndër të ftuarit e Panairit të 11-të të Librit, “Tirana 2008” është edhe shkrimtari kroat Bozidar Prosenjak, i cili që në moshë fare të re ka arritur të evidentohet me letërsinë e tij në mjediset letrare kroate. I pari tregim që botoi në vitin 1968, arriti të ishte pjesë e përmbledhjes me krijime të zgjedhura, “Shkrimtarët e rinj kroatë”. Ishte po kjo vepër që e nxori shkrimtarin jashtë kufijve të Kroacisë, duke përfaqësuar Kroacinë në mbrëmjet poetike strugane, mbajtur në Maqedoni në konkurrimin “Struga e re”. Që nga ajo kohë shkruan boton në suplemente të gazetave të ndryshme, në radio e televizion, kritika e shkrime mbi prozën, poezinë, dramën etj.

Pas shumë vitesh krijimtari, në vitin 1980, sheh dritën e botimit përmbledhja e parë me poezi që mban një titull tejet interesant dhe tërheqës, thjesht “A”.

Në gjuhën shqipe, për të parën herë ai u botua në vitin 2007 nga shtëpia botuese “Toena”. Ndërsa vepra e tij më e njohur jo vetëm për lexuesin kroat është “Kali i egër”, i cili nga 1989-2008 ka njohur 15 botime në Kroaci. Autori për këtë vepër është vlerësuar me dy prej çmimeve më prestigjioze në Kroaci, atë “Ivana Brlic Mazuranic” dhe “Grigor Vitez”. Sipas këtij romani është shkruar libreti i një muzikali, ndërsa si shfaqje teatrale është shfaqur me qindra herë. Ai është autor i dyzet librave për fëmijë e të rritur. Shumë krijime të tij janë renditur në përmbledhje të zgjedhura, antologji e leksikone, në Kroaci e jashtë saj. Krijimet e tij janë përkthyer në anglisht, arabisht, çekisht, gjermanisht, maqedonisht, polonisht, sllovenisht, italisht, hungarisht, frëngjisht, shqip etj.

Në vitin 2001, formon Teatrin e Parë Profesionist në Velika Gorica, qytetin në të cilin aktualisht jeton me familjen e tij, ku shquhet si autor dhe regjisor.

Numër i konsiderueshëm i vargjeve të tij ka frymëzuar kompozitorë të ndryshëm në krijimet e tyre. Ka krijuar edhe radiodrama, ndërkohë që kritikat e tij janë botuar në përmbledhjen “Leximi i gjurmëve” botuar në Zagreb në vitin 2006 dhe “Midis thelbit dhe marginës” botuar po në vitin Zagreb 2006.

Bevilacqua, shkrimtari që nderohet më shumë në Tiranë

Ditën e dytë të Panairit të 11-të të Librit, më 15 nëntor do të promovohen librat e botuar në shqip të një prej shkrimtarëve më të italianë, Alberto Bevilacqua, i cili është i ftuar në “Tirana 2008”. Një prej shkrimtarëve italianë më të njohur në botë, Alberto Bevilacqua ka pranuar të jetë në ceremoninë e hapjes së Panairin e 11-të të Librit, “Tirana 2008”. Këtu vjen si shkrimtar, në një panair ku do të promovohen edhe librat e tij të shqipëruar, por në Itali ai është një emër i njohur edhe në botën e kinemasë. Janë jo pak skenarë të filmave italianë të cilët mbajnë firmën e Alberto Bevilacqua-s, që gjatë ditëve të panairit do të ketë kontakte edhe me lexuesin shqiptar.

Ishte viti i hershëm 1961 kur fama e tij në Itali mori udhën e saj për të mbërritur deri në këto ditë, kur emrin e tij e njeh jo vetëm lexuesi italian, por ai botëror.

Vëllimi me poezi “L’amicizia perduta” që në shqip flet “Miqësia e humbur” ishte vepra e parë që e shndërroi Bevilacqua-n në një eksponent të rëndësishëm të letërsisë italiane.

Por suksesi i tij i madh mban emrin “La califfa”, i botuar në vitin 1964. Personazhit të këtij romani, Irene Corsini i vishen më pas epitete nga më të ndryshmet. Pikërisht për faktin se ajo është protagonistja e një romani që Alberto Bevilacqua e ka veshur me shumë energji por edhe ëmbëlsinë e një femre. “Kalifja”, prej fundit të vitit 2006, ka mundur të lexohet edhe nga shqiptarët, duke shënuar kështu edhe botimin e romanit të parë të Alberto Bevilacqua-s në Shqipëri. Ndërsa Panairi i 11-të sjell edhe dy romane të tjerë të shkrimtarit, “Ndjesi të yshtura”, ka marrë çmimin “Bacarella” në vitin 1992 dhe “E fshehta e grave”, roman i shqipëruar nga Diana Çuli. Këto qenë hapat e tij të para drejt suksesit dhe të vlerave që letërsia e tij ka përcjellë. Çka e bënë që në vitin 1966 shkrimtari të rrëmbente çmimin e tij të parë: Çmimi Campiello për romanin e tij “Questa specie d’amore”.

Janë trazirat shpirtërore në jetën e një intelektuali, të shkruara me e mjeshtëri nga shkrimtari që e bënë jurinë t’i akordonte trofeun e këtij çmimi. Janë bëmat e jetës së këtij protagonisti, të ndara mes së shkuarës që vjen plot nostalgji dhe impenjimeve dhe ambicieve të tij në etën intelektuale, që u vendosën në këtë vepër, duke shkruar kështu edhe një histori të padiskutueshme suksesi për karrierën e Bevilacqua-s. Ajo që u theksua në ato kohë ishte fakti se ky qe një libër me nota të theksuara autobiografike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›